Të mërkurën në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës është hedhur shorti për fazën çerekfinale të Kupës së Kosovës. Fituesja e këtij trofeu në edicionin e kaluar, Prishtina do të ballafaqohet me skuadrën e Ligës së Parë, Trepçën’89. Ndërkaq, Ballkani do të përballet me Malishevën.
Interesante do të jetë edhe përballja tjetër ndërmjet dy skuadrave elitare, Dukagjinit dhe Dritës, por edhe ajo ndërmjet dy skuadrave pretendente për të hyrë në elitë, Vjosës dhe Suharekës 23. Edhe faza çerekfinale zhvillohet vetëm me një ndeshje.
Analisti i futbollit, Alban Lumi, ka thënë për KosovaPress se kampioni i Kosovës Ballkani duhet të jetë shumë i kujdesshëm pasi mund të befasohet nga Malisheva.
“Besoj që Ballkani-Malisheva do të jetë një derbi lokal i mirë dhe si njëra ashtu edhe skuadra tjetër kanë ambiciet e veta. Ballkani edhe pse e luan ndeshjen si mysafir në Malishevë besoj që është favorit. Megjithatë Malisheva para adhuruesve të vet ka ditur shpeshherë të befasojë skuadrat që kanë pretenduar shumë dhe është një rast i mirë për futbolldashësit që në fillimit ta marsit që të shohin një lojë të mirë”, tha Lumi.
Lumi shtoi se është lajm i mirë fakti që një skuadër e Ligës së Parë do të jetë në gjysmëfianle, e që do të dal nga ballafaqimi ndërmjet Suharekës dhe Vjossës, kurse, sipas tij, Trepça ’89 do të jetë një test i vështirë për Prishtinën.
“Pres një ndeshje interesante edhe nga dy skuadrat e kategorisë së dytë, siç është Suhareka dhe Vjosa, dy skuadra pretendente për t’u ngjitur në elitën e futbollit kosovar, ndërkaq këtë radhë e diskutojnë një vend për në gjysmëfinale…Edhe Trepça ’89 do ta kërkojë befasinë e radhës që pas eliminimit të Llapit tani e ka me Prishtinën, por besoj që edhe aty është një ndeshje e mirë, interesante, rivalë të vjetër, duke e ditur që në të kaluarën këto dy skuadra kanë pasur paraqitje të mira…Takimi tjetër, Dukagjini me Dritën do të jetë interesant, edhe këtu Dukagjini si skuadër që është ndoshta pak më pak e favorizuar se Drita do të luajë para adhuruesve të vet që e sjellë një lloj barazie”, theksoi Lumi.
Ndeshjet çerekfinale të Kupës së Kosovës zhvillohen më 6 dhe 7 mars 2024.