Albi Mall Superliga e Kosovës vazhdon me ndeshjet e xhiros së 22-të, ku tre janë në program për tu zhvilluar ditën e sotme.
Padyshim që vëmendja më e madhe e adhuruesve të futbollit kosovar do të jetë në Podujevë ku përballen rivalët rajonal Llapi dhe Prishtina.
Skuadra e Tahir Batatinës kërkon vetëm fitoren, pasi me tre pikët do të dilte në pozitën e parë mbi Ballkanin.
Në anën tjetër Prishtina pas humbjes nga Malisheva synon të rikthehet te fitoret dhe kërkon ta ndalë Llapin në ‘Zahir Pajaziti’.
Sfidë shumë interesante pritet të jetë edhe në Gjilan, ku Drita pret Dukagjinin e Klinës.
Gjilanasit kërkojnë fitoren e tretë radhazi për tu afruar edhe më shumë me skuadrat konkurente për titullin si Ballkanin dhe Llapin.
Ndërkohë klinasit pas fitores dramatike ndaj Lirisë synojnë të shkaktojnë befasi në Gjilan.
Sfidë shumë interesante pritet të zhvillohet edhe në Prizren, ku dy skuadrat e fundit në tabelë Liria dhe Fushë Kosova përballen mes vete.
Të gjitha ndeshjet e ditës së sotme në elitën e futbollit kosovar fillojnë nga ora 13:00.