Fundjava në Superligën e Kosovës do të mbyllet sot me ndeshjet e xhiros 23, teksa në program për t’u zhvilluar janë dy ndeshje.
Gjilani, që nuk di për fitore në kampionat që nga dhjetori i vitit të kaluar, do të jetë nikoqir i Malishevës, që po kalon formë të mirë.
Gjilanasit do të hyjnë në këtë ndeshje pas katër barazimeve rresht në stinorin pranveror, kurse malishevasit pas tri fitoreve.
Gjilani ka 22 pikë dhe renditet i teti në tabelë. Malisheva është e katërta me 38 pikë.
Ndeshja tjetër do të zhvillohet në Lipjan, mes Prishtinës dhe Lirisë.
Prishtinasit kanë regjistruar dy barazime e një humbje në tri ndeshjet e fundit, derisa prizrenasit morën një barazim xhiron e kaluar pas disa humbjeve radhazi.
Prishtina renditet e pesta me 31 pikë, kurse Liria është në pozitën e fundit (10) me 10 pikë të grumbulluara.
Të dy ndeshjet do të luhen nga ora 13:00.