Kombëtarja shqiptare do të luajë dy takime miqësore ndaj Kilit (22 mars) dhe Suedisë (25 mars). Përgatitjet për këto dy ndeshje do të nisin të hënë më 18 mars, teksa trajneri Silvinjo ka publikuar sot edhe listën me plot 26 lojtarë të grumbulluar.
Përsa i përket portës janë të njëjtët futbollistë, Etrit Berisha, Thomas Strakosha dhe Elhan Kastrati. Në mbrojtje rikthehet Marash Kumbulla, i cili ka lënë pas dëmtimin e rëndë dhe gradualisht po merr minuta me klubin e tij Sassuolo. Emrat e tjerë që përbëjnë repartin e prapavijës janë Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Enea Mihaj, Federic Veseli, Jon Mersinaj, Mario Mitaj dhe Naser Aliji.
Ashtu si në portë edhe në mesfushë janë të njëjtët lojtarë Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Keidi Bare dhe Nedim Bajrami. Ndërsa në repartin e sulmit ka risi por edhe rikthime. Trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë për herë të parë në Kombëtare sulmuesin Arbër Hoxha, i cili aktivizohet me Dinamo Zagreb në Kroaci.
Në Kombëtare rikthehet edhe Rey Manaj, i cili po zhvillon një sezon shumë të mirë me klubin e tij në Turqi. Pjesa tjetër e lojtarëve që përbëjnë repartin e avancuar janë Taulant Seferi, Myrto Uzuni, Ernest Muçi, Jasir Asani, Arbnor Muçolli, Sokol Cikalleshi dhe Armando Broja.
Në këtë listë trajneri brazilian, ka lënë jashtë dyshen nga Kosova, Arbnor Mujën dhe Mirlind Dakun.