36-vjeçari Valon Aliu dyshohet se e vrau ish-bashkëshorten e tij, 21-vjeçe, pas një konflikti brenda Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.
I dyshuari kishte shkuar sot ta merrte fëmijën e tij në Qendrën për Punë Sociale, ka rrëfyer Adelina Rexhepi, drejtoreshë e qendrës.
Ajo ka thënë se ish-bashkëshorti i viktimës, pasi e ka marrë fëmijën e tij rreth orës 13:00 është kthyer sërish në qendër rreth një orë e gjysmë më vonë dhe aty ka nisur konflikti që përfundoi tragjikisht.
Rexhepi tha se ish-çifti ishin partnerë pa kurorë.
“Realisht nuk kanë pasur konflikte, ka ardh bashkëshorti për ta marr fëmijën e tij nga ora 13:00, ka diskutuar me ata të qendrës për punë sociale, e ka marr djalin dhe ka dalë jashtë, është kthy prapë dhe është takuar jashtë institucionit me bashkëshorten e tij dhe të dy bashke janë ardh prapë në qendër dhe nga aty ka filluar konflikti. Kanë qenë partnerë pa kurorë dhe kanë bërë kërkesë për divorc”, tha Rexhepi.
Valon Aliu dyshohet se në Qendrën për Punë Sociale e ka plagosur edhe vëllain e ish-bashkëshortes së tij, 15-vjeçar.
Pas të shtënave me armë, ndonëse ka tentuar të arratiset, Aliu është arrestuar nga Policia e Kosovës në afërsi të vendit të ngjarjes dhe është dërguar në mbajtje. /Paparaci.com