Dallku e “largon” Dritën nga lufta për titull: Ndihem mirë, rezultat i drejtë!
Dukagjini arriti në sekondën e fundit të ndeshjes të realizoj gol ndaj Dritës, duke përfunduar ndeshjen baras në Klinë.
Trajneri Dallku ishte i lumtur me skuadrën e tij, me luftën që treguan, madje flet se e ka detyruar Dritën të vonojë lojën.
”Qëllimi ishin tri pikë. E kishim përgatitur ndeshjen, ndërsa u ndëshkuam nga momenti i vetëm i kundërshtarit. Morëm masa në pjesën e dytë, ndryshuam skemën. Ndihemi mirë sepse e kemi detyruar një skuadër që lufton për titull ta vonojë lojën.
“Rezultati baras është i drejtë, por me pak fat do të merrnim edhe fitore. I përgëzoj lojtarët dhe tifozët për përkrahjen. Është pikë që vlen sepse nuk jemi komod në tabelë. Më bën të ndihem mirë sepse e nënshtruam kundërshtarin, pasi në pjesën e dytë u luajt pak për shkak të zhagitjes së lojës. Kjo më bën krenar. Djemtë besuan deri në fund. U shpërblyem me barazim.
“Ne jo vetëm ndaj Dritës por ndaj të gjithëve në Klinë jemi të papërshtatshëm para tifozëve tonë. Në fushat sintetike po kemi problem pasi fusha jonë ka përmasat tamam siç duhet të jenë. Fushat tjera kanë mangësi në metra. Por ne po e bëjmë maksimumin ndaj të gjithëve”, ka deklaruar trajneri Armend Dallku pas ndeshjes për “ArtMotion”.