Qeveria e Kosovës sonte ka miratuar edhe vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë nr. 02/08 të datës 23 qershor 2020 për rifillimin e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Me plotësimet dhe ndryshimet e miratuara, fluturimet në ANP “Adem Jashari” do të organizohen në intervale prej minimum 45 minutave ndërmjet aterrimeve.
Menaxhimi i orareve të bëhet duke respektuar aplikimin e Rregullores Nr. 2008/6 Mbi Rregullat e Përbashkëta Për Alokimin e Slloteve në Aeroportet e Vendosura në Kosovë dhe rregullave të IATA (Worldwide Slot Guidelines, 10th Edition), Aeroplanët ad-hoc taxi nuk i nënshtrohen këtij rregulli. Vendimi hyn në fuqi nga data 9 korrik 2020.
Qeveria në mbledhjen e sotme elektronike ka miratuar edhe kërkesën e Ministrisë së Bujqësisë që të ndajë 1,867,107 euro për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në ekonomitë bujqësore nga fatkeqësitë natyrore gjatë periudhës janar-qershor 2020 në komunat e Istogut, Pejës, Obiliqit, Vitisë, Kaçanikut, Mitrovicës, Prishtinës, Drenasit, Skenderajt, Prizrenit, Fushë Kosovës, Shtimes, Podujevës, Mamushës, Leposaviqit dhe Gjilanit. /Lajmi.net/