Kombëtarja e Kosovës, sot pasdite udhëtoi në Oslo, derisa nesër e zhvillon stërvitjen e fundit para miqësores me Norvegjinë, në “Ullevaal Stadion”.
Para ndeshjes miqësore, futbollisti Valon Berisha ka thënë se janë të gatshëm, pasi kanë pasur ditë të forta të stërvitjeve. Ai para se të luante për Kosovën ishte pjesë e nordikëve, vend të cilin e la për dardanët!
“Po, jemi të gatshëm. Kemi pasur disa ditë të forta të stërvitjeve, sot ka qenë më shumë seancë taktike. Trajneri na ka organizuar mirë dhe jemi përgatitur mirë. Ushtrimet kanë qenë intensive, pasi kemi pasur nevojë, sepse disa lojtarë kanë pasur pauzë 10 ditore para se të grumbullohemi këtu”, tha ai.
Tutje, Berisha ka potencuar se për të kjo ndeshje është tejet e veçantë pasi hapat e parë si futbollist i ka marrë po tek kombëtarja norvegjeze.
“Është një ndeshje e veçantë, sepse familja ime jeton atje, atje jam rritur dhe i kam marrë hapat e parë në futboll. Ata më kanë vlerësuar shumë dhe më kanë dhënë shumë besim kur kam qenë i ri. Kam debutuar për Norvegjinë shumë herët. Sigurisht se do të jetë një ndjenjë e përzier, por gjithmonë e kam ndjerë veten shqiptar dhe e kam kënaqësinë dhe privilegjin që të luaj për Kombëtaren e Kosovës”, u shpreh Berisha.