Shqipëri-Spanjë do të jetë padyshim një ndeshje historike për futbollin shqiptar. Kuqezinjtë luajnë sot në Dyseldorf një mundësi unike për të kaluar në fazën me eliminim direkt të Euro 2024, në një grup ku pakkush mendonte se do ta kishin një shans të tillë në ndeshjen e fundit.
shqiperi spanje
Fitorja i bën punë Shqipërisë dhe i siguron kalimin, pasi me barazimin, do të ishte shumë e vështirë që të vijonte më tej në këtë turne. Dhe sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, edhe pse Spanja ka vendosur të lërë pushim disa prej yjeve të saj, meqë ka siguruar kualifikimin dhe vendin e parë në grup.
Bie në sy se trajneri Silvinjo ka bërë vetëm një ndryshim në krahasim me formacionin që u përball me Kroacinë, duke ulur në stol Hysajn për t’i bërë vend Balliut në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Ndërkohë, te Spanja trajneri De La Fuente ka bërë 10 ndryshime në krahasim me ndeshjen ndaj Italisë, duke hedhur në fushë zgjedhjet e dyta të tij. I vetmi lojtar që ka mbijetuar në formacion është mbrojtësi Laport.
FORMACIONET ZYRTARE
SHQIPËRIA: Strakosha, Balliu, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj, Ramadani, Asllani, Laçi, Asani, Bajrami, Manaj.
Trajner: Silvinjo
Spanja: Raja, Hesus Navas, Vivian, Laport, Grimaldo; Zubimendi, Mikel Merino; Ferran Torres, Dani Olmo, Ojarzabal, Hoselu.
Trajner: Luis De La Fuente