Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka marrë një tjetër dënim nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s. FSHF-ja të enjten njoftoi se ka pranuar dënimin e tretë nga UEFA me vlerë prej 86 mijë e 500 euro. Dënimin e rëndë e ka marrë pas incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes së tetë të Evropianit kundër Spanjës.
Ndeshja në mes Shqipërisë dhe Spanjës u zhvillua të hënën në Dusseldorf.
“Ky penalizim financiar ka ardhur edhe këtë herë nga problematikat e shkaktuara nga disa tifozë shqiptarë, të cilët kanë hedhur objekte në fushën e lojës, kanë transmetuar mesazhe të papërshtatshme, kanë ndezur flakadanë gjatë ndeshjes, por edhe për ndërprerjen e ndeshjes nga një tifoz gjatë zhvillimit të lojës”, shkruan në njoftimin e FSHF-së.
Për ndezje të fishekzjarrëve, FSHF-ja u dënua me 8 mijë e 500 euro. 25 mijë euro u dënua për transmetim të mesazheve të papërshtatshme për ngjarje sportive, 45 mijë euro për hedhje të sendeve dhe me 8 mijë euro për hyrje në fushë.
UEFA më herët e gjobiti me 37 mijë e 375 euro për incidentet në ndeshjen ndaj Italisë dhe 47 mijë euro për ndeshjen ndaj Kroacisë.
UEFA dënoi edhe Mirlind Dakun me dy ndeshje.