Euro 2024 ka mbyllur fazën e grupeve, ku fatkeqësisht Kombëtarja nuk mundi të vazhdojë më gjatë aventurën e saj në këtë turne.
Një aventurë fantastike për kuqezinjtë, të cilët lanë gjurmët e tyre në Gjermani, madje duke vendosur rekorde. Kështu Ylber Ramadani është lojtari i parë në listën e publikuar nga UEFA për kilometrat e bëra në 3 ndeshje.
Mesfushori i Kombëtares ka vrapuar 37.5 kilometër gjatë 3 sfidave, duke kryesuar listën. Por jo vetëm kaq, pasi një tjetër shqiptar ndodhet në top-5. Kristjan Asllani është futbollisti tjetër që ka vrapuar më shumë në Euro 2024.
Mesfushori i Interit ka vrapuar gjithsej 36.1 kilometër, duke mbajtur vendin e 4-të në listë. Në renditje mes Ramadanit dhe Asllanit ndodhet Barella dhe Soucek. Vlen të theksohet se Armand Duka zgjodhi Asllanin si më të mirin, por sipas statistikave të UEFA-s, Ylber Ramadani u lë “targën” të gjithëve.