Në Kampin Nacional në Prishtinë, në kujtim të presidentit të ndjerë të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri dhe për të shënuar ditëlindjen e tij, Liga e Veteranëve të Futbollit të Kosovës, me mbështetjen e Federatës së Futbollit të Kosovës, po e mban një aktivitet përkujtimor.
Para fillimit të kësaj ngjarje presidenti i FFK-së Agim Ademi përshëndeti të pranishmit, ku edhe nuk kurseu fjalët për bashkëpunëtorin e tij të ngusht, të ndjerin Vokrri.
Ai e quajti atë si mbretin e fushës së gjelbër. Dhe ia numëroi të gjitha kontributet e tij në futbollin kosovar. Përshëndeti bashkëlojtarët e tij Ramadan Cimili, Ramiz Krasniqi, Muharrem Sahiti, Isa Sadriu, Jusuf Tortoshi, dhe trajnerin Ajet Shosholli, si dhe ekipet pjesëmarrëse.
Më pas Ademi shtoi se Vokrri ishte ambasadori ynë, ishte i vetmi që hyri edhe në ekipin e ish-Jugosllavisë, pasi ishte futbollisti më i mirë shqiptar.
Së bashku me Ademin ishin edhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK, Ismail Ajeti dhe Agim Nura.
Në këtë aktivitet do të zhvillohen dy ndeshje të veçanta. Në ndeshjen e parë, përballen Veteranët e Prishtinës dhe Veteranët e Llapit, derisa në ndeshjen e dytë, do të luajnë Veteranët e Kosovës kundër një ekipi të përbërë nga përfaqësues të Qeverisë dhe Kuvendit.
Paraprakisht ekipet pjesëmarrëse bënë homazhet për Fadil Vokrri në orën 16:30 tek shtatorja pranë stadiumit që mban emrin e tij.
Pas përfundimit të ndeshjeve, do të mbahet edhe një koktej rasti në Kampin Nacional, për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm që Fadil Vokrri ka dhënë për futbollin mbarëkombëtar.