Konfliktet në lokale të ndryshme në qytetet e Kosovës, si dhe në diskoteka të cilat veprojnë pas mesnate janë bërë mjaft të shpeshta. Këto raste jo rrallëherë eskalojnë edhe në përleshje fizike, siç dyshohet se ka ndodhur së fundmi në një diskotekë në zonën industriale në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se këtë herë rasti ka ndodhur te ‘Zone Club’, në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku janë përfshirë disa persona, për motive akoma të panjohura.
Bazuar në informacionet e para, tre persona janë sulmuar me një mjet të mprehtë nga dy persona, të cilët kanë arritur të ikin derisa njësia policore arriti në vendin e ngjarjes.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se të dyshuarit janë larguar me veturën e tyre, ndërsa viktimat që ishin cak i sulmit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor.
Policia ka marrë informacionet e para lidhur me rastin dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetimi për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.