Sipas një raporti, një lojtar australian i hokejit në fushë është ‘arrestuar me dyshimin se ka blerë kokainë’ gjatë Lojërave Olimpike në Paris 2024.
Jean-Baptiste Marty, një reporter evropian i krimeve, ka hyrë në mediat sociale për të bërë pretendimin e bujshëm.
“Një anëtar i ekipit australian të hokejit në fushë u arrestua mbrëmë pasi bleu kokainë në një rrugë në lagjen e 9-të të Parisit. U arrestua edhe shitësi, i cili mbante 75 pilula ekstazi, 3 gram MMC dhe epruveta kokainë”, shkroi Marty në rrjetin social X.
Sportisti në fjalë është Tom Craig, sipas FranceInfo, medium i cili raportoi se 28-vjeçari ‘u arrestua teksa dyshohet se posedonte afërsisht një gram kokainë’.
Prokurorët vendas thanë se ai u pa “në hyrjen e një ndërtese në lagjen e nëntë” vetëm pas mesnate.
“Policia arrestoi dy burra në mes të një transaksioni”, tha burimi për FranceInfo.
Hetimet u kryen nga policia e Brigadës së Narkotikëve të Parisit.
Shitësi, i përshkruar si një 17-vjeçar, “po sillej si një tregtar”, tha një burim i prokurorisë.
Ai u pa duke mbajtur shtatë epruveta të mbushura me kokainë, 75 tableta ekstazi dhe 3 gram Mephedrone.
Për shkak të moshës së tij, “dileri” nuk mund të përmendet.
Komiteti Olimpik Australian tha se “ka konfirmuar se një anëtar i ekipit australian të hokejit është në paraburgim pasi u arrestua në Paris më 6 gusht”.
“Asnjë akuzë nuk është ngritur. AOC po vazhdon të bëjë hetime dhe të organizojë mbështetje për anëtarin e ekipit”, thuhet tutje në njoftim.
Të dyja skuadrat australiane të hokejit në fushë u eliminuan nga çerekfinalet këtë javë. Skuadra e femrave humbi 3-2 nga Kina, ndërsa skuadra e meshkujve pësoi një humbje 2-0 nga Holanda.
SPORTbible ka kontaktuar Komitetin Olimpik Australian dhe Hokej Australinë për koment. /Telegrafi/