Nënkampionët e Kosovës në basketboll e kanë prezantuar trajnerin e ri të skuadrës.
John Casey Owens është amerikani i cili do ta udhëheq Golden Eagle Yllin në edicionin e ri të Prince Caffe Superligës, në edicionin 2024/25.
Është skuadra nga Suhareka që ka bërë me dije për arritjen e marrëveshjes me timonjerin e ri.
“Kemi arritur marrëveshje me trajnerin amerikan, John Casey Owens, i cili vjen me një përvojë si trajner në G-League, asistent në NBA në ekipin LA Lakers, si dhe së fundmi udhëhoqi ekipin Kazma SC në Kuwait”, thuhet në njoftimin e dy herë kampionëve të Kosovës.
Casey Owens, trajner i Yllit
Sezonin e kaluar, Ylli e nisi me trajnerin grek, Kostas Flevarakis, por me të cilin në janar e shkëputën bashkëpunimin, si shkak i rezultateve jo të kënaqshme. Më pas erdhi malazezi Petar Mijoviq, me të cilin suharekasit preken finalen e Ligës Unike dhe zhvilluan 5 ndeshje në finalet e ‘Play-Off’ në Superligë, ku në fund pësuan nga Trepça.
Maratona basketbollistike në Kosovë nis në javën e dytë të shtatorit, me Superkupën që organizohet nga data 7 deri më 11 të atij muaji.