“Përpjekja e paligjshme e pushtimit” e Izraelit në Liban duhet “të përfundojë menjëherë”, ka thënë ministria e jashtme turke.
“Ky sulm synon sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë”, ka thënë ajo, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Kjo përpjekje e rrezikshme pushtimi ka të ngjarë të ndezë një valë të re migrimi dhe t’u japë terren ekstremistëve në mbarë botën”, citohet të jetë thënë më tej.
Ajo i bëri thirrje gjithashtu Këshillit të Sigurimit të OKB-së të “bëjë atë që është e nevojshme” në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Reagimi i Turqisë vjen pasi ushtria izraelite ka konfirmuar se trupat e saj kanë filluar një “operacion tokësor të synuar” në Libanin jugor.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se kishin filluar “sulme të lokalizuara dhe të shënjestruara” kundër objektivave të Hezbollahut në zonën kufitare të Libanit jugor.
Siç është thënë më tej, “këto objektiva janë të vendosura në fshatra afër kufirit dhe përbëjnë një kërcënim të menjëhershëm për komunitetet izraelite në Izraelin verior”. /Telegrafi/