Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e ka uruar skuadrën e 2 Korrikut për suksesin e arritur në UEFA Youth League.
Prishtinasit e vegjël kanë mposhtur skuadrën e Dublin U19 në ndeshjen e rrethit të dytë në këtë garë shumë prestigjiioze, derisa Ademi e ka cilësuar si një dëshmi që futbolli i Kosovës ka të ardhme të ndritur.
“Përgëzoj secilin futbollistë të FC 2 Korrikut për shpirtin luftarak, përkushtimin dhe nivelin e lartë në fushën e lojës, si dhe stafin dhe drejtuesit e klubit për punën e shkëlqyeshme me talentet e reja, duke prezantuar kësisoj në mënyrë dinjitoze futbollin kosovar në arenën evropiane”, ka shkruar ndër të tjera Ademi. .
Postimi i plotë i Agim Ademit:
Urime të përzemërta për FC 2 Korriku fitorja në rrethin e dytë në UEFA Youth League 👏🇽🇰⚽️
Një tjetër paraqitje e shkëlqyeshme e ekipit U19 të FC 2 Korrikut në UEFA Youth League. Skuadra verdhekaltër e mbushur me talente na ofroi emocione të pafundme dhe na bëri krenarë me lojën e treguar në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj kampionit të Irlandës UCD AFC nga Dublini.
Kampionët tanë nën drejtimin e trajnerit Labinot Haziri dëshmuan edhe një herë talentin dhe potencialin e tyre të jashtëzakonshëm.
Dy golat e Lis Berishës, jo vetëm që vulosën fitoren me përmbysje të rezultatit, por na japin shpresa të mëdha që skuadra nga kryeqyteti të vazhdojë rrugëtimin e suksesshëm në këtë garë.
Përgëzoj secilin futbollistë të FC 2 Korrikut për shpirtin luftarak, përkushtimin dhe nivelin e lartë në fushën e lojës, si dhe stafin dhe drejtuesit e klubit për punën e shkëlqyeshme me talentet e reja, duke prezantuar kësisoj në mënyrë dinjitoze futbollin kosovar në arenën evropiane.
Uroj që këtë epërsi të krijuar kampionët tanë do të arrijnë ta menaxhojnë me maturi në ndeshjen e kthimit në Irlandë dhe të kalojnë në fazën e tretë të kësaj gare.
Urime edhe një herë dhe suksese të mëtejshme – jemi të gjithë me ju!
Ju priftë e mbara!