Dukagjini ka arritur të marrë një fitore të madhe 2-1 në udhëtim te Gjilani në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Ekipi i Ismet Munishit i është kthyer fitores pas dy barazime, duke i shkaktuar Gjilanit një humbje e cila e dërgon në pozitat që të dërgojnë në Ligën e Parë.
Pjesa e parë u karakterizua me lojë thuajse të barabartë, por me mysafirët që ishin më konkret duke shënuar dy herë.
Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm katër minutave lojë me anë të Mërgim Pefqelit, i cili shënoi për 0-1, ndërsa Hekuran Berisha (42’) u përkujdes për ta dërguar ekipin e tij në pushim me epërsi 0-2.
Në pjesën e dytë, vendasit patën përsëri diçka më shumë nga loja, por arritën të shënojnë vetëm një gol që nuk ishte i mjaftueshëm për të marrë pikë.
Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 83-të me anë të Senad Jarovic, i cili shënoi për rezultatin përfundimtar 1-2.
Pas kësaj fitore, Dukagjini e kalon Gjilanin në renditje, duke zënë pozitën e tetë me 14 pikë, ndërsa gjilanasit renditen të nëntit me 13 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, Gjilani e pret Suharekën, teksa Dukagjini është nikoqir i Feronikelit ’74.