Lindon Emërllahu është zgjedhur “Ylli i Javës” në xhiron e 13-të të Superligës së futbollit.
Mesfushori kualitativ ishte kontribuuesi më i madh në fitoren e Ballkanit ndaj Malishevës, me ç’rast therandasit i ngriti në krye të tabelës në ligën elitare, të cilën e ndan së bashku me Dritën, shkruan “Gazeta Express”.
Pasi mori këtë çmim, Emërllahu u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës.
“Vlerësimi si më i miri i javës është një motiv shtesë për të punuar edhe më shumë për punën e mëtejshme. Loja kundër Malishevës ishte shumë e rëndësishme për skuadrën tonë, sepse ishim të vetëdijshëm që po ndesheshim me një skuadër me shumë cilësi, por megjithatë ne treguam forcën tonë si grup dhe në momentet vendimtare të ndeshjes ishim më të mirë. FC Ballkani do të vazhdojë me ritmin e njëjtë të punës edhe më tutje, sepse na pret një rrugë e gjatë deri në fund të kampionatit për t’u rikonfirmuar si kampion” – tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.