Klubi i basketbollit Bora, i inkuadruar për herë të parë këtë vit në Superligën e Kosovës, ka emëruar Besim Brahën si drejtor të ri sportiv.
Braha ka një autoritet të jashtëzakonshëm në basketbollin kosovar, duke udhëhequr dhe menaxhuar shumë nga momentet më të rëndësishme në histori të Trepçës. Ai ka pasur një ndikim të madh në zhvillimin e ekipit dhe ka kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të klubit, sidomos gjatë periudhave të vështira financiare dhe organizative.
I njohur si një nga figurat më të respektuara në historinë e basketbollit të Kosovës. Si drejtor sportiv i Borës, Braha pritet të sjellë eksperiencën dhe menaxhimin e tij të fuqishëm, duke u përpjekur të vendosë ekipin në një rrugë të suksesshme në Superligën e Kosovës. Vlen të ceket se në dy edicionet e fundit, Braha ishte drejtor sportiv te Trepça, madje edicionin e kaluar e fituan edhe titullin e kampionit pas 12 vitesh.
Përveç emërimit të Brahës, Bora ka bërë edhe një lëvizje të rëndësishme në tregun e transferimeve, duke nënshkruar një kontratë me lojtarin e mirënjohur maqedonas, Adem Mekic. Siç raportoi AsistiOnline.com ditë më parë, Mekic është një lojtar me përvojë të madhe dhe mund të luajë një rol kyç në përmirësimin e performancës së ekipit.