Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar pas akuzave nga Komuna e Prishtinës se kjo ministri e ka dëmtuar hapësirën përreth Teatrit Kombëtar duke prerë pishat shumëvjeçare që ishin aty.
Në sqarim thuhet se largimi i drurit në afërsi të teatrit është bërë për shkak se rrënjët e tij kanë qenë të mbështetura në muret e strukturës së ndërtesës dhe sipas tyre e kanë pamundësuar realizimin e punëve.
Po ashtu MKRS ka bërë e ditur se për këtë projekt është pajisur me leje nga nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve.
“Ministria e Kulturës po bën investimin më të madh që është bërë ndonjëherë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, restaurimin e plotë dhe zgjërimin e hapësirave të tij. Për hartimin e këtij projekti janë angazhuar profesorë nga gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës ndërsa jemi pajisur me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve. Largimi i drurit në afërsi të teatrit ka qenë i paraparë në projekt për shkak që rrënjët e tij kanë qenë të mbështetura në muret e strukturës së ndërtesës, duke dëmtuar kështu strukturën dhe duke pamundësuar realizimin e punëve të drenazhimit, përforcimim e themeleve dhe vazhdimin e zbatimit të projektit. Po kujdesemi që projekti të zbatohet tërësisht, dhe punët të zhvillohen në mënyrën më profesionale. Natyrisht që druri i prerë do të zëvendësohet. Hapësirat e gjelbërimit janë të parapara dhe do të zbatohen në detaje”, thuhet në sqarimin e MKRS-së.
Komuna e Prishtinës të premten e ka akuzuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit se e ka dëmtuar hapësirën përreth Teatrit Kombëtar duke shkatërruar pishat shumëvjeçare që ishin aty.