Dy bomba janë hedhur drejt shtëpisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në qytetin verior të Izraelit, Caesarea.
Bëhet e ditur se në momentin e sulmit, as Netanyahu dhe as familja e tij nuk ishin në shtëpi.
Ndërsa policia ka njoftuar se të dyshuarit janë arrestuar, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz tha se incidenti i kapërceu “të gjitha vijat e kuqe” në një postim në X.
“Nuk është e mundur që kryeministri i Izraelit, i cili kërcënohet nga Irani dhe përfaqësuesit e tij që po tentojnë ta vrasin, të jetë subjekt i të njëjtave kërcënime në shtëpi”, tha Katz.
Ai u bëri thirrje gjithashtu agjencive të sigurisë dhe gjyqësorit të ndërmarrin hapat e nevojshëm.
Edhe presidenti i Izraelit, Isaac Herzog e dënoi incidentin dhe tha se një hetim ishte duke u zhvilluar.
“Kjo i kalon të gjithë kufijtë. Hedhja e një bombe në shtëpinë e Benjamin Netanyahut kalon një vijë tjetër të kuqe”, tha ministri i Sigurisë Itamar Ben-Gvir në X.
Ndryshe, në tetor, një dron u nis drejt shtëpisë së kryeministrit në Caesarea pa shkaktuar asnjë dëm.
Netanyahu është përballur edhe me protesta masive për trajtimin e krizës së pengjeve të shkaktuar nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, i cili ndezi luftën e vazhdueshme në Gaza.
Kritikët fajësojnë Netanyahun për dështimet e sigurisë dhe të inteligjencës që lejuan të ndodhte sulmi dhe për mos arritjen e një marrëveshjeje me Hamasin për lirimin e shumë pengjeve që ende mbahen brenda Gazës.