Pas ndeshjes tensionuese ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës në Ligën e Kombeve në Bukuresht, të dy vendet do të takohen sërish këtë muaj pas vetëm 5 ditësh, këtë herë në një ndeshje të Hendbollit për meshkuj të Kupës Evropiane EHF.
Kësaj radhe, sfida do të jetë në nivel klubesh.
KH Rahoveci kaloi në raundin e tretë preliminar të garave evropiane pasi mposhti kampionin belg, Bocholt dhe kundërshtari i radhës do të jetë Minaur Baia Mare e Rumanisë.
‘Vreshtarët’ u bënë thirrje tifozëve të jenë të pranishëm në numër sa më të madh për të përkrahur ekipin.
“Pasi e shkruam historinë e sportit lokal, duke kaluar në raundin e tretë të EHF European Cup në hendboll me mposhtjen e kampionit belg, Bocholt, tashmë më 23 nëntor, nga ora 19:00 e kemi rastin të shkruajmë historinë e hendbollit kosovar”, thuhet në njoftimin e KH Rahovecit.
Ndeshja e parë zhvillohet në “Mizahir Isma”, ndërsa një javë më vonë, më 30 nëntor, nga ora 16:00, dy skuadrat do të takohen sërish në Rumani, për ndeshjen e kthimit.