Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga deputetët e Listës Serbe që të largohen nga seanca e sotme e Kuvendit, në të cilën erdhën pas një mungese gjashtëmujore, sipas tij, vetëm për të marrë pagat.
Deputetët e Vetëvendosjes u përpoqën gjatë diskutimit të pasdites që të pengojnë hyrjen e deputetëve të Listës Serbe në sallë, me arsyetimin se nuk janë distancuar nga sulmet në veri të Kosovës dhe se po vijnë në Kuvend “vetëm për të marrë rrogat”.
“Turp të keni, po ju drejtohem deputetëve të Listës Serbe që vijnë dhe provokojnë në këtë mënyrë. Duke u paraqitur një herë në gjashtë muaj në kuvend, ju abuzoni me paratë e taksapaguesve. Në anën tjetër, luftoni kundër Kosovës me të gjitha mjetet. Ju keni guximin të vini në Kuvendin e Kosovës. Turp të keni, kjo seancë është ndërprerë dhe ju kërkoj të largoheni nga kjo sallë”, tha Konjufca.