Kombëtarja e Shqipërisë është ndërtuar dhe ka arritur zenitin e saj me sakrificën dhe talentin e futbollistëve nga Kosova. Që nga Arjan Beqaj e Besnik Hasi te Lorik Cana, Etrit Berisha, Mërgim Mavraj, Arlind Ajeti, Herolind Shala, Amir Abrashi, Burim Kukeli, Migjen Basha, Ermir Lenjani, Valdet Rama, Alban Meha, Armend Dallku, Debatik Curri, Shkëlzen Gashi, Samir Ujkani, Milot Rashica, Amir Rrahmani, Loret Sadiku, Besart Berisha e shumë të tjerë, Kosova ka qenë shtylla kryesore e Kombëtares shqiptare. Falë kontributit të jashtëzakonshëm të futbollistëve kosovarë, Shqipëria arriti majat e futbollit evropian, duke realizuar suksesin historik të kualifikimit në Kampionatin Evropian 2016. Megjithatë, në vend që të falënderohej dhe të respektohej ky kontribut, Federata Shqiptare e Futbollit ka zgjedhur një rrugë tjetër: një politikë të pashpirt të rrëmbimit të talenteve nga Kosova, e cila dëmton drejtpërdrejtë zhvillimin e FFK-së dhe Kombëtares së Kosovës.
Përpjekjet e vazhdueshme për të minuar Kosovën
Është e kuptueshme që para vitit 2016, kur FFK ende nuk ishte pranuar në UEFA dhe FIFA, shumë futbollistë kosovarë përfaqësuan Shqipërinë me krenari. Por, çuditërisht, edhe pas anëtarësimit të FFK-së në instancat ndërkombëtare, FSHF nuk ndali përpjekjet për të marrë futbollistët më të talentuar të Kosovës. Në vend se të ndihmonte Kosovën në konsolidimin e saj si kombëtare e re, FSHF e ka luftuar atë në çdo mënyrë të mundshme.
Këto tentativa nuk kanë qenë vetëm në nivelin e ekipit A, por edhe në Kombëtaren U21, ku talentet më të mëdha të Kosovës janë joshur dhe manipuluar për të zgjedhur Shqipërinë. Raste si ato të Ardijan Ismajlit, Mirlind Dakut, Arbër Hoxhës, Arbnor Mujës, vazhduan me të tjerë si Dion Ajvazi, Emir Rashica, Leart Zuka, Adrion Pajaziti, Medon Berisha dhe së fundmi Etnik Brruti, që janë shembulli i qartë i strategjisë së FSHF-së për të dobësuar Kosovën dhe për të përfituar në kurriz të saj. Kjo qasje është jo vetëm e pandershme, por edhe e dëmshme për një komb që po përpiqet të krijojë identitetin e vet në futbollin ndërkombëtar.
Hipokrizia e FSHF-së dhe e shtetit shqiptar
Me fjalë e deklarata, FSHF dhe institucionet shqiptare flasin për “marrëdhënie vëllazërore” me Kosovën. Në praktikë, veprimet e tyre tregojnë të kundërtën. Shqipëria ka përfituar miliona euro nga kualifikimet e saj në dy Kampionate Evropiane, një sukses i cili nuk do të ishte i mundur pa kontributin e jashtëzakonshëm të futbollistëve nga Kosova. Por, a ka menduar ndonjëherë FSHF të investojë në Kosovë në shenjë mirënjohjeje? Përgjigja është një “JO” e madhe!
Madje, ironia arrin kulmin me faktin se i vetmi “investim” i FSHF-së në Kosovë është bërë në një lokalitet të banuar me serbë, në Graçanicë! Kjo është një fyerje për të gjithë ata futbollistë kosovarë që kanë dhënë gjithçka për Kombëtaren shqiptare dhe një tregues i qartë se prioritetet e FSHF-së nuk janë aspak në shërbim të bashkëpunimit të sinqertë me Kosovën.
Shqipëri&Serbi, partneriteti i turpshëm për Euro 2027
Në vend që të ndihmonte Kosovën në integrimin e saj në futbollin evropian, Shqipëria ka zgjedhur të bashkëpunojë me Serbinë për organizimin e Kampionatit Evropian U21 në vitin 2027. Ky është një tjetër akt që minon Kosovën dhe përforcon një narrativë të gabuar, ku Serbia vazhdon të mohojë ekzistencën e shtetit dhe futbollit kosovar. Në vend që të lobonte për Kosovën, FSHF ka zgjedhur të bashkëpunojë me një shtet që vazhdon të bllokojë Kosovën në çdo nivel ndërkombëtar.
Kosova e ndërtoi edhe Kombëtaren e femrave të Shqipërisë
FSHF nuk duhet të harrojë edhe faktin se Kombëtaren e femrave e krijoi vetëm falë futbollisteve nga Kosova, saktësisht të lojtareve të KF Kosova të Prishtinës. Futbollistet kosovare kanë udhëtuar me mjete të veta e me automjetin e klubit drejt Tiranës, Shkodrës, e Elbasanit për të përfaqësuar me krenari kombin shqiptar, teksa drejtuesit e FSHF-së asnjëherë nuk kanë marrë mundin t’i shpaguajnë ato, duke e keqpërdorur vullnetin dhe dëshirën e madhe te vajzave nga Kosova për ta përfaqësuar flamurin kombëtar.
Është e pafalshme që FSHF vazhdon të trajtojë Kosovën si një “gomë rezervë”. Është koha që kjo të ndryshojë. Është koha që FSHF të ndalojë strategjinë e saj të rrëmbimit të talenteve dhe të pranojë realitetin e ri: Kosova është një shtet i pavarur, me një kombëtare të pavarur dhe meriton respektin që i takon.
Përndryshe, historia do ta mbajë mend FSHF-në jo si një institucion që ndihmoi futbollin e Kosovës të rritet, por si një organizatë që bëri gjithçka për të penguar zhvillimin e një shteti të vogël, por krenar si Kosova.
E ardhmja e futbollit kosovar dhe ndërgjegjësimi i talenteve
Kosova ka nevojë për talentet e saj më shumë se kurrë. Çdo futbollist i ri duhet të kuptojë se duke zgjedhur Kombëtaren e Kosovës, ai nuk po bën vetëm një zgjedhje sportive, por edhe një zgjedhje historike për ta ngritur shtetin e tij në skenën ndërkombëtare. Shqipëria e ka ndërtuar futbollin e saj me sakrificat e futbollistëve nga Kosova, por tani është koha që Kosova të ndërtojë të ardhmen e vet me talentet e saj.