Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në Prishtinë presidentin e Federatës së Futbollit të Polonisë, Cezary Kulesza, dhe sekretarin e kësaj federate, Łukasz Wachowski, në një vizitë të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy federatave.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, presidenti Ademi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Federatën Polake të Futbollit dhe ndarjen e përvojave të vlefshme, veçanërisht në segmentin e zhvillimit të futbollit të grupmoshave të reja dhe arbitrimit.
“Sot pata kënaqësinë të prisja presidentin e Federatës së Futbollit të Polonisë, Cezary Kulesza, dhe sekretarin e kësaj federate, Łukasz Wachowski, në një vizitë të rëndësishme në Prishtinë. Diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit mes dy federatave dhe për ndarjen e përvojave të vlefshme për zhvillimin e futbollit, veçanërisht në nivelin e grupmoshave të reja,” shkroi Ademi.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte përvoja e Polonisë në avancimin e sistemit të arbitrimit, i cili është ndër më të zhvilluarit në Evropë dhe ka ndikim të madh edhe në nivelin botëror. Ademi potencoi se suksesi i gjyqtarëve polakë mund të shërbejë si një model i rëndësishëm për arbitrimin në Kosovë.
Po ashtu, në këtë takim u diskutua edhe për realizimin e projekteve të përbashkëta, të cilat do të përqendrohen në zhvillimin e futbollit dhe mbështetjen për talentet e rinj. “Këto projekte do të krijojnë mundësi për futbollistët e rinj të rriten e të zhvillohen dhe njëherësh do të forcojnë bashkëpunimin dhe miqësinë mes dy vendeve tona,” theksoi presidenti i FFK-së.