Zvicra ka humbur një talent të madh në mesfushë me Leon Avdullahun. Agjenti i tij ka shpjeguar arsyet pse 21-vjeçari zgjodhi Kosovën dhe jo Zvicrën.
Javën e kaluar, Leon Avdullahu dhe Eman Kospo morën vendimin për të mos përfaqësuar Zvicrën, por respektivisht Kosovën dhe Bosnjën.
Por çfarë fshihet pas largimit të Avdullahut dhe Kospos? Gazeta 20 Minuten bisedoi me agjentin Sascha Fischer, përfaqësues i Avdullahut, i cili dha arsyet e këtij vendimi.
“E kuptoj emocionin dhe zhgënjimin që shumë në Zvicër ndoshta e ndiejnë tani. Leon është rritur këtu, ka marrë formimin e tij këtu dhe Zvicra për të gjithmonë do të mbetet atdheu i tij”.
Për Fischer është e rëndësishme që vendimi i klientit të tij të kuptohet drejt.
“Ky nuk ishte një vendim kundër Zvicrës, por për Kosovën. Shpesh në futboll dëgjojmë se lojtarët ndjekin vetëm paratë dhe karrierën. Në këtë rast është e kundërta, Leoni ka vendosur nga bindja, nga zemra dhe nga identiteti familjar që të përfaqësojë Kosovën”.
Avdullahu dëshiron që me emrin dhe reputacionin e tij të ndihmojë Kosovën të konsolidohet në futbollin evropian.
Ai synon që me cilësitë dhe përgjegjësinë e tij të japë kontribut për një federatë dhe një komb që kërkon të forcojë pozitën e vet në arenën ndërkombëtare. Ky, sipas tij, nuk është aspak një gjest kundër Zvicrës.
Ajo që e bën edhe më të veçantë situatën është fakti se Avdullahu pritet që në fillim të shtatorit të debutojë me fanellën e Kosovës dhe kjo pikërisht kundër Zvicrës, pasi të dy kombëtaret gjenden në të njëjtën grup kualifikues për Kupën e Botës 2026.