Prishtinë, 8 tetor 2025 – Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), z. Agim Ademi, ka reaguar pas vizitës së dytë të Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, në Kosovë, duke e cilësuar këtë ngjarje si një moment të veçantë për futbollin dhe vendin.
Në një deklaratë publike, Ademi ka theksuar se ardhja e të parit të futbollit botëror në Prishtinë përbën dëshmi të qartë të respektit dhe mbështetjes që FIFA i ofron Kosovës dhe zhvillimit të futbollit në vend.
“Sot është një ditë e veçantë për futbollin dhe për vendin tonë. Kemi nderin dhe kënaqësinë të mirëpresim në Kosovë për herë të dytë mikun tonë të madh, liderin që i ka dhënë dimension të ri zhvillimit të futbollit global, Shkëlqesinë e Tij, Gianni Infantino”, shkroi Ademi.
Sipas kreut të FFK-së, marrëdhënia mes Kosovës dhe FIFA-s është e veçantë, pasi në Kongresin e parë të Gianni Infantino-s si President, në vitin 2016, Kosova u pranua si anëtarja më e re e FIFA-s – një moment historik për sportin dhe shtetin kosovar.
“Kosova gëzon respekt dhe simpati të madhe tek Presidenti Infantino, edhe për faktin që pranimi ynë në FIFA ndodhi në mandatin e tij të parë. Që nga ajo ditë, futbolli ynë ka njohur zhvillim të jashtëzakonshëm”, u shpreh Ademi.
Presidenti i FFK-së theksoi se përmes programeve si “FIFA Forward”, është siguruar një mbështetje e madhe për ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e futbollit të femrave, akademitë e të rinjve dhe ngritjen e standardeve profesionale të federatës.
Vizita e sotme, e shoqëruar edhe me dekorimin e Presidentit Infantino nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u cilësua nga Ademi si një akt nderimi dhe frymëzimi për gjeneratat e reja.
“Kjo vizitë na kujton se përmes sportit mund të bashkojmë njerëz, të ndërtojmë ura miqësie dhe të promovojmë respektin e ndërsjellë e barazinë. Kosova është një vend i ri, por me zemër të madhe sportive. Djemtë dhe vajzat tona ëndërrojnë të luajnë në skenat më të mëdha të futbollit botëror, dhe me mbështetjen e FIFA-s këto ëndrra janë më afër se kurrë”, theksoi Ademi.
Në fund, kreu i futbollit kosovar i shprehu mirënjohjen më të thellë Presidentit Infantino për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe siguroi se FFK do të vazhdojë rrugëtimin e saj me përkushtim, profesionalizëm dhe transparencë.
“Në emër të gjithë komunitetit të futbollit kosovar dhe qytetarëve tanë, i shpreh mirënjohjen më të sinqertë Presidentit Infantino për besimin dhe përkrahjen që i jep Kosovës.
Si Federatë, do të vazhdojmë të ndjekim parimet dhe vlerat që përfaqëson FIFA, për zhvillimin e futbollit në çdo nivel.
Mirë se vjen sërish në Kosovë, President Infantino – Kosova është shtëpia juaj!”, përfundoi Ademi.