Festivali i ndërrimit të moteve pa dyshim është i lashtë. Edhe pse me plotë ndryshime, shtime e modifikime përgjatë rrugëtimit të tij, megjithatë, Viti i Ri mbetet pagan në origjinë.
Enciklopedia Britannica, së paku, na sjellë në kujtesë se ky festival buron nga Mesopotamia e lashtë para më se 4000 vitesh. Të dhënat më të hershme rreth festimit të Vitit të Ri datojnë që nga 2000 p.e.s. në Mesopotami, ku në Babiloni viti i ri (Akitu) fillonte me shfaqjen e Hënës së re të pranverës (mesi i Marsit) dhe në Asiri me shfaqjen e Hënës së re të vjeshtës (mesi i Shtatorit). Për egjiptianët, fenikasit dhe persianët e lashtë, Viti i Ri fillonte me ekuinoksin e vjeshtës (21 Shtator), ndërsa për grekët e hershëm ai fillonte me solsticin dimëror (21 Dhjetor). Në kalendarin republikan romak viti fillonte më 1 mars, por pas vitit 153 p.e.s. datë zyrtare e ndërrimit të moteve u bë 1 janari, e cila traditë u përcoll edhe në kalendarin Julian të vitit 46 p.e.s.
Në kohët e hershme mesjetare, pjesa më e madhe e Evropës së krishterë konsideronte 25 marsin, Festën e Lajmërimit (Announciation), si fillim të Vitit të Ri, edhe pse dita e Vitit të Ri u vu re më 25 dhjetor në Anglinë anglo-saksone. Kalendari Gregorian, i miratuar me 1582 nga Kisha Katolike Romake, rikthej 1 janarin si ditë të vitit të ri dhe shumica e vendeve evropiane e ndoqën gradualisht këtë traditë: Skocia në vitin 1660; Gjermania dhe Danimarka rreth vitit 1700; Anglia në 1752 dhe Rusia në 1918.
Ndryshe nga fetë dhe kulturat e sipërpërmendura, ato që përdorin kalendarin hënor, fillimin e vitit e konsiderojnë jo me 1 janar. Në kalendarin hebraik, për shembull, Viti i Ri çifut (Rosh Hashana) fillon në ditën e parë të muajit të Tishrin, e cila bie ndërmjet 6 shtatorit dhe 5 tetorit. Kalendari mysliman normalisht ka 354 ditë në çdo vit dhe Viti i Ri fillon në muajin Muharrem. Viti i Ri kinez festohet zyrtarisht në mes të muajit janar ose në fund të shkurtit. Kulturat tjera aziatike e festojnë këtë ditë në kohë të ndryshme të vitit. Në jug të Indisë, Viti i Ri tamil festohet në solsticin e dimrit; tibetianët këtë ditë e festojnë në shkurt; e në Tajlandë kjo ditë festohet në mars ose prill.
Avokati Ligjor për Çështje Familjare në Gjeorgji të SHBA-ve, Randy Kessler, e konsideron Vitin e Ri shkas të mirë për shkurorëzim. Në artikullin e tij “Pse Viti i ri shpesh sjellë shkurorëzime (Why does the New Year often bring Divorce?)”, Kessler shprehet skeptik për një fillim të dështuar. “Pse ndodhë që kaq shpesh viti i ri të çoj drejtë një shkurorëzimi? Çdo vit në janar marrim telefonata nga më shumë njerëz që duan të njoftohen, diskutojnë ose të paraqesin dosje për shkurorëzim. Disa mund të mendojnë se janari është i përshtatshëm për t’u ripërpjekur për të mbajtur një martesë të qëndrueshme. Por, në përvojën time shumë njerëz shpesh mendojnë dhe besojnë se një fillim i ri në fillim të vitit ka kuptim. Shkurorëzimi rrallë është thjeshtë një biznes midis dy negociuesve. Ideja e arritjes së një ‘zgjidhjeje’, për shumë njerëz, është dhënia fund një marrëdhënieje dhe kjo po dëmton rënd shoqërinë amerikane”, shprehet Kessler.
Dr. Melissa Burkley, profesoreshë e psikologjisë sociale në Universitetin Shtetëror të Oklahomas, gjersa po fliste për anën e errët të premtimeve boshe për Vitin e Ri (New Year Resolutions), vuri në pah se për Vit të Ri shumica e njerëzve, nënat në veçanti, zotohen se do të fillojnë një vit ndryshe nga i kaluari. Shumë ekspertë ofrojnë këshilla p.sh. si të caktohen disa synime konkrete për t’i realizuar në muajt që pasojnë, megjithatë, ekspertët kurrë nuk e potencojnë se ekziston ana e errët e përpjekjes për të realizuar shumë synime, ngase personi që i vendos vetes shumë synime nuk arrin të realizoj asnjë.
Për më tepër, problemi shfaqet kur p.sh. njerëzit, pa u bindur, zotohen se do të humbin 10 kilogramë brenda vitit, të zvogëlojnë shpenzimet apo heqin dorë nga shprehitë e ndryshme. Atëherë kjo bënë që ata të shpenzojnë shumë energji duke u përpjekur ta mbajnë vetën nën kontroll dhe t’u rezistojnë lakmive. Kjo i ngjason karburantit të veturës suaj që harxhohet shpejt dhe pa sukses nëse abuzohet me ngasjen e makinës. Kështu, njerëzve që premtojnë shumë dhe nuk arrijnë të realizojnë u shkaktohen efekte të ndryshme psikologjike në shumë aspekte të jetës.
Pasi që fituam një panoramë të përgjithshme botërore po i kthehemi vendit tonë. Sa i përket Kosovës, shkalla e lartë e papunësisë, korrupsioni me bollëk dhe kushtet e rënda e ekonomike ia pamundësojnë qytetarëve të saj të festojnë këtë festë. Mirëpo, për ironi, në Kosovë në këtë vit u dogjën hiq më pak se 800 mijë euro për “nder” të 2013-ës. Tërë këto para u harxhuan në fishekzjarrë e mjete piroteknike, madje vetëm për një natë: 31.12.2012.
Edhe pse shumë mjaft e majme të hollash për qytetarët e varfër, megjithatë, sipas disa kalkulimeve sivjet ka pasur më pak import të këtyre produkteve. “Në vitin 2012 kemi pasur import prej 497 mijë kilogramë të mjeteve shpërthyese si fishekzjarrë, raketa ndriçuese etj. Kjo kap vlerën prej rreth 800 mijë eurove”, shprehej Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.
Se këndejmi, me sa duket “Luli i Vocërr” (lexo: kosovari këpucëgrisur nga varfëria) është vetëdijesuar paksa në krahasim me vitin e kaluar, pasi sipas statistikave të Doganave të Kosovës vitin që shkoi Kosova kishte importuar më shumë se 560 mijë kilogramë mjete shpërthyese, që arrinin vlerën prej 1.5 milion euro. Pra, vetëm për dy vite qytetarët e Kosovës kanë shpenzuar dy milion e 280 mijë euro, para këto që shkuan në xhepat e kinezëve, pasi që malli ishte blerë nga Kina dhe natyrisht edhe paratë shkojnë atje.
Edhe pse ideja e mos-festimit të Vitit të Ri bëri bujë, u cilësua e “rrezikshme” dhe u bë temë bosht e disa e(mis)misioneve televizive, megjithatë, statistikat na flasin të kundërtën. Si pasojë e pakujdesisë apo mungesës se informatave për përdorimin e fishekzjarrëve, dhjetëra qytetarë u lënduan dhe kërkuan ndihmë mjekësore. Këtë vit u raportuan më pak lëndime sesa herëve tjera. Raporti i Policisë vuri në pah se dhjetë raste u raportuan si pasoja të Vitit të Ri, për pasojë tetë persona të lënduar, si dhe një rast incident zjarri ku humbi jetën një qytetar. Për me tepër, u raportua po ashtu edhe për dy të plagosur nga armë zjarri, njeri prej të cilëve nga plumbi qorr. Të gjitha këto ishin rezultat i festimit e jo mos-festimit.
Kjo sa i përket shpenzimeve në fishekzjarrë e mjete tjera shpërthyese, ndërsa sa i përket harxhimeve në alkool, drogë dhe lëndë tjera narkotike për këtë nuk ekzistojnë të dhëna, të paktën, publike.
Pa dyshim, shumica e problemeve dhe skandaleve politike vijnë nga vetë njerëzit e politikës, herë si rezultat i injorancës, e më shpesh për shkak të sjelljeve arrogante. Me qenë se ne kemi një politikë shumë të “konsoliduar”, ku shumica absolute e yjeve të udhëheqjes politike, le që nuk kanë shkollim përkatës në politik, por madje kam bindjen se nuk kanë kryer as ndonjë kurs, fjala vjen “Introduction to Political Science” (Hyrje në Shkencat Politike). E kësaj politike i vuri kapak e(mis)misioni televiziv për të komen(shëm)tuar mbi të ashtuquajturën ideja e “rrezikshme” e thirrjes për mos-festimin e Vitit të Ri, ide kjo që sipas mediave u lansua pak para kësaj “feste” nga profesori universitar, hoxhë Shefqet Krasniqi.
Fillimisht, se a është i rrezikshëm festimi apo mos-festimi i Viti të Ri, më së miri do të ishte në gjendje të na shpjegonte qytetari i ndjerë i Kosovës, natyrisht po të ishte në jetë. Megjithatë, paradoksi më i madh në këtë politikë të “konsoliduar”, qëndron në atë se ajo di ta bëjë mizën “ka” kur u duhet dhe kaun “mizë” kur nuk duhet.
Se këndejmi, le të mos i mbetemi borxh lexuesve e tu bëjmë të qartë se ky artikull nuk synon të jetë një avokat i Dr. Shefqetit, sepse Dr. Shefqeti ka më shumë shkollim, përvojë, aftësi, madje edhe “fansa në facebook” se shumica e politikanëve të Kosovës, përfshirë këtu edhe depu(sh)tetin që tregon (pa)kulturën e vet në drejtim të një njeriu që gëzon respekt jo vetëm në Kosovë, por në rajon, diasporë e me gjerë. Ndaj, Krasniqi i cili është pjesëmarrës i shumë konferencave shkencore, debateve dhe anëtarë i disa asociacione dijetarësh, është më shumë se i zoti për t’ju bërë avokat vetes po të kishte me kë dhe për çka të avokonte.
Pra, synimi është i qartë: për mos-festimin e Vitit të Ri kanë ftuar shumë intelektualë anekënd botës dhe anekënd Kosovës përfshirë edhe autorin e këtij artikulli. Më herët në mesjetë, për mos-festimin e tij kishin ftuar edhe vet Kishat, ndërsa ato të reformuarat, si The Reformed Church of God, vazhdojnë akoma të ftojnë të mos festohet as sot. Po kështu, Izraeli edhe sot e kësaj dite zyrtarisht nuk feston këtë festë, pikërisht për shkak se autoritet fetare në vend e konsiderojnë këtë festë të huaj, me origjinë pagane, pavarësisht që Izraeli përdor Kalendarin Gregorian për çështje pune dhe biznesi, si kalendari më i përhapur në botë.
Prandaj, sikur në vend të Dr. Shefqetit thirrjen për mos-festimin e Viti të Ri ta bënte ndonjë Dr. Shtjefan, Dr. Stefanovic, e mos të flasim eventualisht për ndonjë Dr. Stephan, atëherë do të shihje se si depu(sh)teti do t’i curronte veshët, ashtu siç i curroi një koleg i tij kohë më parë tek po i cicëronte në cicërimë (lexo: twitter) Sumeya Erdogan, e cila pyeste se si ka mundësi deputeti i një populli të jetë kundër identitetit të vet fetar si dhe shumicës së popullit të vet. Pra, kjo filozofi nuk do shumë mend “në emër të popullit, mashtrojmë popullin” apo “populli voton, populli pëson”, ndërsa në “demokracinë’ kosovare shumica voton, shumica pëson”, “ju digjni fishekzjarrë, ne mbledhim pare”.
Për më tepër, nëse një çifut religjioz thërret se nuk duhet festuar Vitin e Ri gregorian (2013) pasi që ai posedon kalendarin e vet çifut, që sivjet me 6 shtator numëron vitin 5773 dhe konsideron se kjo festë bie ndesh me identitetin e tij fetar ngase për nder të Vitit të Ri (Rosh Hashanah) çifutit nuk i takon të dehet, të shfrenohet, e as të vras njerëz të pafajshëm si rezultat i dehjes, por sipas mësimeve të Torës ai duhet të konsumoi ushqime modeste, mundësisht molla të lyera më mjaltë, athua vallë a do të merrte kush guximin të pretendonte se një ide e këtillë paraqet “rrezik” për vendin. E njëjta pyetje vlen edhe për kinezin budist, taoist apo konfuçionist që feston Vitin e Ri kinez, me 10 shkurt të këtij viti, 4709 ose 4710 sipas kalendarit kinez. Po ashtu për hindusin indian që feston Dipavali (Festa e Dritave), me 3 nëntor të këtij viti, i shoqëruar me rituale, lutje e vallëzime fetare.
Ke durim, e di se me akuzon për aziatik, ne jemi në Evropë mjaft më me Azi. Atëherë, për hir të publikut le të sqarohemi, çka pra simbolizon Viti i Ri në Evropë? Nëse në Evropën Mesjetare, siç u tha më lartë, 25 marsi, lajmërimi (Announciation) që engjëlli Gabriel i kishte bërë Shën Marisë se ajo do ta lindte “Shpëtimtarin e Njerëzimit – Jezu Krishtin” është konsideruar si Vit i Ri, dhe nëse kjo festë pas miratimit të Kalendarit Gregorian nga Kisha Katolike Romake, më 1582 u bartë në 1 janar, apo nëse sipas Enciklopedisë Katolike (Tierney, John. “Feast of the Circumcision.” The Catholic Encyclopedia. Vol. 3. New York: Robert Appleton Company, 1908. 11 Jan. 2013) festimi i Vitit të Ri nënkupton synetimin (cirkumsionin) e Jezusit në ditën e tetë pas lindjes, atëherë kjo d.m.th se të kërkosh nga myslimanët të festojnë Vitin e Ri është pikërisht sikur të kërkosh nga komuniteti katolik në Kosovë të festojnë Mevludin e Muhamedit a.s. diku kah prilli apo maji.
Ç’ti bësh, kështu e kanë mediat. Roli i tyre është t’i (ç)orientojnë masat dhe kur dëgjoj këtë fjali me ngjallë nostalgjinë e fëmijërisë. Mendoj se kam qenë vetëm 8 apo 9 vjeç kur dëgjoja zërin e thekshëm të Fatime Sokolit e cila këndonte “Gazetarët po shkruajnë në gazeta, më shumë rrena se të vërteta’” Të them të drejtën më pëlqente tej mase kjo këngë si fëmijë dhe mendoja se për shkak të okupimit serbo-sllav gazetarët ishin të atillë. Por, ja u rritëm, u çliruam, ndryshoi gjithçka, madje dikujt edhe gjinia, por gazetarët mbetën ata që ishin të shkruajnë nëpër gazeta më shumë rrena se të vërteta.
Gjithmonë duhet pasur në konsideratë që gjërat thuhen në kontekst dhe kur nxirren nga konteksti ato gjithherë marrin kah të gabuar, por ndoshta edhe tendencioze. Besoj se mesazhi për mos-festimin e Vitit të Ri i është drejtuar namazfalësve, besimtarëve, xhematlinjve, pra myslimanëve të vetëdijshëm që përbëjnë goxha një shumicë. Kjo porosi nuk i është drejtuar atyre që nuk i përkasin besimit islam, e de-facto as atyre që nuk dinë t’i numërojnë tre tituj të literaturës islame, se ata fillimisht duhet ftuar në islam/besim. Por, ja që njerëzit mundohen të nxjerrin dhjamë nga pleshti apo parafrazuar me thënien e Homerit të Drenicës, Xhemajl Abria: “I meqmi mixho e ngon pushkën tu kris për hava, e budalla ja kthen vetes”.
Eh sa më ka marrë malli të qëndroj këmbëkryq nëpër odat e Drenicës apo Dukagjinit, e të dëgjoj llafet e pleqve të urtë të cilët, duke dredhur mustakun, jepnin mesazhe urtësie “mixho zanatlisë mos u muno me ja kallxu zanatin, se për qata i thojnë ati zanatli” ose “dardhagjisë mos i shit dardha”.
E kur jemi të dardhat, besoj ia vlen edhe një legjendë që po ashtu ka të bëjë me një hoxhë, por ama jo të kalibrit të Dr. Shefqetit. Nastradin Hoxha ish kanë ngushtuar një verë e nuk kishte të holla, filloi me mendu dhe iu kujtua se ka një trup dardhe në arën e malit. E mori gomarin e shkoi e shkundi dardhën. I mori dardhat dhe shkoi tri fshatra më larg. Kur hyri në fshat pa një lis dhe u ul nën hije të pushoj, nxori dardhat dhe filloi të thërras “hajde dardha, hajde dardha”, kur ia filloi gomari pas tij “iii aaa”! Nastradini nuk ia vuri veshin, mendoj se e kishte nga lodhja. Kur filloi së dyti, me një zë më të lart, “hajde dardha”, gomari pas tij “iii aaa”, Nastradini e shikoi mrrolur, por nuk e ndëshkoi. Së treti, Nastradini një “hajde dardha”, kur gomari “iii aaa”. Atëherë Nastradini humbi durimin, u kthye e i tha: “Hsshsht gomar he tutkun, a po shet ti, a po shes unë”. Për çudi, gomari sipas legjendës u turpërua dhe iu deshtë të heshtë.
Për fund, kisha pas dëshirë të këshilloj me Kuran, se fjalë më kuptimplote nuk kam lexuar ndonjëherë në ndonjë libër, por me qenë se dikujt ndoshta nuk i bën dobi apo ndoshta përtej oqeanit mund të akuzohem edhe për fanatik e “wahabi”, atëherë po përfundoj me At e me Bibël, ndoshta kështu u zbutën zemrat. At Gjergj Fishta e kishte thënë edhe këtë: “Zot i madh që je në Qiell, na bëjë të mundur të mbajmë gojën mbyllur kur nuk kemi diçka të mirë për të thënë”. Ndërsa, në kapitullin e Shën Mateut thuhet: “Ti hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd” (Mateu: 7:5).