Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik janë shqetësues për numrin e të infektuarve në Kosovë nga virusi Covid 19, dhe për shkak se numri i të infektuara po rritet dita ditës, atëherë dasmat dhe ceremonitë tjera janë ndaluar që të mbahen.
Ditë më parë estrada bëri protestë në Prishtinë me qëllim të mbajtjeve të dasmave në Kosovë.
Por se a duhet të mbahen dasmat në Kosovë në këtë kohë pandemie kur të prekurit me korona virus vetëm sa po rriten, kjo mbetet të shihet në ditët dhe muajt në vazhdim.
Mirëpo sa e rrezikojnë shëndetin nëse ato dasma mbahen, shumica prej elitës thonë se nuk janë të pajtimit që të nxitojnë me hapa të shpejtë. Megjithatë ata sugjerojnë se përderisa frekuentohen kateterit dhe restorantet, atëherë edhe dasmat do të duhej të mbaheshin.
Mirëpo mikrobiologët thonë se çdo grumbullim njerëzish, pa marre parasysh kontekstin, është rrezik për shëndetin publik.
Raka: Dasmat përbejnë rrezik
Mikrobiologu Lul Raka ka thënë për “Bota sot” se çdo grumbullim njerëzish, pa marrë parasysh kontekstin, është rrezik për shëndetin publik.
“Me numrat në rritje edhe dasmat përbejnë rrezik permanent për infektim”, ka thënë Lul Raka.
Prelvukaj: Pandemia e dëmton industrinë e muzikës por mbi të gjitha duhet të jetë shëndeti i qytetarëve
Ndërsa këngëtari Genc Prelvukaj ka thënë se duke e marr parasysh shifrën me mbi 120 të infektuar në ditë nuk është dakord, të nxitohet me hapjen e tubimeve publike të cilat nënkuptojnë edhe koncertet, dasmat, ndeshjet sportive me tifozë dhe gjërat e tjera të ngjashme.
Sipas tij, pandemia e dëmton industrinë e muzikës vërtetë por mbi të gjitha duhet të jetë shëndeti i qytetarëve.
“Megjithatë nga ana e kundërta jam kundër sulmeve, nënçmimeve dhe fyerjeve publike në drejtim të artistëve nga industria e muzikës. Një vend është i mjerë, një shoqëri është e pazhvilluar kur në vend se të merret me problemet politike që i kanë vënë këmben në fyt, gjen kohë të fyejë pa asnjë logjikë një komunitet të tërë, edhe nëse ndonjë individ nga ky komunitet ka opinion apo qëndrime të gabuara”, ka thënë këngëtari Genc Prelvukaj.
Stefa: Muzika dhe dasmat tona janë tradita që nuk duhet të ndalojë
Ndryshe, këngëtarja Rovena Stefa ka thënë se dasmat duhen mbajtur po aq sa lokalet e restorantet e hotelet janë hapur, duke e marrë parasysh se në ambiente të hapura po rrinë me mijëra vete e nuk po mbyllen.
“Çfarë ndryshimi sjell një dasmë deri ne 300 vete në të cilën i zoti i dasmës nëse dëshiron ta mbajë, merr përgjegjësi për kushtet e të gjithë mbarëvajtjen duke respektuar normat e higjienës së bashku me pronarët e restoranteve e dasmorët. Eventet duhen mbajtur ose përndryshe a i marrin qeveritë përsipër gjithë këtë humbje për ekonomitë si në Shqipëri ashtu edhe Kosovë?! Dhe nëse na paguajnë miliona eurot që lëvizin nga kjo industri, atëherë le mos t’i mbajnë, por të paktën le të ndalojnë gjithë jetën pra që të ruhemi nga një grip që na zë secilin prej nesh çdo vit. Dhe për fund muzika dhe dasmat tona janë tradita që nuk duhet të ndalojë se përndryshe pa to nuk ka jetë apo dashuri”, ka thënë këngëtarja Rovena Stefa.
Kajtazi: Shëndeti së pari
Këngëtarja Violeta Kajtazi ka thënë se askush nuk e dëshiron të keqen e askujt. “Në radhë të parë është shëndeti i të gjithëve”, ka thënë shkurt Kajtazi.
Maqani: Salla e dasmave është biznes
Ndërsa pronari dhe drejtor i “Iliria De Luxe” Faton Maqani, ka thënë për “Bota sot” se salla e dasmave është një biznes që përfshin shumë punëtorë dhe shumë biznese janë të varura, duke përfshi blegtorinë, bujqësinë e deri te tek i fundit që është një zingjirë shumë i gjatë.
“Ne po e shprehim pakënaqësinë duke u bazuar në shumë qendra tregtare që po frekuentohen me mijëra, tubime në kafiteri të ndryshme dhe dasmat qe po zhvillohen neper oborre dhe shumë sektorë të tjera që kanë frekuentim të shumë njerëzve. Këto janë që ne jemi të diskriminuar dhe për ketë ne po jemi te pa kënaqur qe pse neve nuk na lejohet veprimtaria jonë. Uroj që të kemi shëndet e shumë gëzime në çdo familje, ka thënë Maqani.