Futbolli kosovar po kalon një periudhë zhvillimi dhe konsolidimi, e ku sukseset nuk janë thjesht rastësore, por rezultat i një pune të palodhshme dhe strategjike. Në krye të këtij transformimi pa dyshim qëndron Agim Ademi, presidenti i FFK-së, i cili ka ditur të sfidojë pengesat dhe të drejtojë futbollin tonë drejt një të ardhmeje të ndritur. Përkundër sfidave të shumta, ai ka dëshmuar që vendosmëria dhe vizioni janë çelësi i suksesit.
Pa dyshim ngritja e Kosovës nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve është njëra nga arritjet më të spikatura gjatë udhëheqjes së tij, por jo e vetmja. Kur e mori drejtimin e FFK-së, Kosova ishte në Ligën D dhe tani ka bërë një arritje historike, duke qenë në mesin e 32 ekipeve më të mira të Evropës.
Ky sukses nuk ishte i rastësishëm, por produkt i një strategjie të mirëmenduar dhe angazhimit të vazhdueshëm. Ademi nuk u ndal para sfidave, sidomos para atyre që vinin nga qarqe të caktuara jo sportive dhe grupe interesi. Ai u përball me shantazhe dhe padi të ndryshme, por asnjëherë nuk e humbi fokusin tek zhvillimi i futbollit. Arriti ta ruaj besimin e komunitetit të futbollit dhe u angazhua maksimalisht për të mbrojtur federatën dhe zhvillimin e saj.
Vendimi për të sjellë Franco Foda-n në krye të Kombëtares pas Alain Giressit ishte një lëvizje strategjike që tregoi vizionin e Ademit. Me një trajner të ri dhe me afrimin e një grupi lojtarësh të rinj u rrit konkurrenca dhe u vendosen objektiva të qarta. Kalimi në Ligën B është njëri prej tyre dhe tashmë synimi është që Kosova të vazhdojë të ngjitet edhe më lart, duke u kualifikuar në të ardhmen në turne të mëdha si Kampionati Evropian dhe Kupa e Botës.
Përveç suksesit sportiv, presidenti i FFK-së ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në përmirësimin e infrastrukturës së futbollit. Ndërsa media shpesh fokusohet tek konfliktet dhe polemikat, puna konkrete që është bërë për fushat e futbollit dhe mbështetja ndaj klubeve ka ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë së futbollit kosovar. Klubet dhe komuniteti i futbollit e ndjejnë ndryshimin, pavarësisht se një pjesë e mediave dhe individëve vazhdon të mbetet e ndikuar nga interesa të caktuara. Në fund, sado që dikush mund të ketë inate personale apo ambicie për të udhëhequr FFK-në, faktet flasin vetë; Agim Ademi dhe Federata e Futbollit të Kosovës janë në rrugën e duhur, duke krijuar një themel të fortë për të ardhmen e futbollit në Kosovë. Futbolli nuk ka nevojë për polemika, por për vizion, punë dhe vendosmëri. Dhe përderisa ky vizion vazhdon të zbatohet, e ardhmja e futbollit kosovar duket premtuese.

