Numri një i FFK-së, Agim Ademi ka ngushëlluar familjen Neziri që sot është ndarë nga jeta ish-futbollisti i njohur Muharrem Nezir, shkruan Demokracia.com.
Ademi e ka cilësuar lartë kontributin e tij për futbollin e kryeqytetit. Ai u dallua për virtyte të larta intelektuale, humane e sportive dhe ishte frymëzues i gjeneratave të reja për t’u bërë pjesë e futbollit.
Më poshtë njoftimi i FFK-së:
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj Muharrem Neziri, ndaj ju lutem më lejoni që në emrin tim, të KE të FFK-së, klubeve, futbollistëve dhe tërë komunitetit të futbollit, të ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta.
Muharrem Neziri i dha shumë futbollit të kryeqytetit. Ai luajti me sukses në radhët e KF “Besëlidhja”, ku ishte kapiten skuadre deri në përmbyllje të karrierës dhe më pas dha kontributin e tij si anëtar i kryesisë.
“Ustahi”, nofkë me të cilën njihej Muharremi, pas përfundimit të karrierës si futbollist, ishte njëri nga tifozët më të mëdhenj të Prishtinës, në vitet e 70-ta e 80-ta.
Ai u dallua për virtyte të larta intelektuale, humane e sportive dhe ishte frymëzues i gjeneratave të reja për t’u bërë pjesë e futbollit.
Muharremi do të kujtohet gjithmonë nga komuniteti i futbollit për kontributin e tij dhe për dashurinë e flaktë për lojën tonë të përbashkët.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së.