Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i është drejtuar komunitetit të futbollit para nisjes së stinorit pranveror:
Të nderuar dashamirë të futbollit, lojtarë, trajnerë, zyrtarë dhe tifozë të zjarrtë,
Sot nis në tjetër kapitull emocionues i futbollit tonë, me fillimin e stinorit pranveror në Albi Mall Superligën e Kosovës. Ky është një moment i rëndësishëm për futbollin kosovar, pasi rikthehen emocionet e garës, ku klubet tona do të luftojnë me pasion dhe përkushtim për të arritur suksese.
Federata e Futbollit e Kosovës mbetet e përkushtuar për të avancuar më tej kampionatin tonë, duke ofruar kushte më të mira për klubet dhe lojtarët, për rrritjen e cilësisë së garës dhe zhvillimin e infrastrukturës.
Ne kemi punuar vazhdimisht për të siguruar një garë sa më të ndershme dhe profesionale, duke forcuar sistemin e ndarjes së drejtësisë dhe duke rritur standardet organizative në çdo aspekt.
Prandaj, ftoj të githë akterët e futbollit – klubet, trajnerët, lojtarët dhe tifozët – që të jenë pjesë e një stinori të mbushur me rivalitet, fair-play dhe emocione të forta. Duke pasur parasysh përgatitjet e skuadrave jashtë vendit dhe përkushtimin e drejtuesve të klubeve për t’u ofruar lojtarëve kushte optimale, jam i bindur se do të kemi një kampionat rivalizues, ku cilësia dhe spektakli do të jenë në qendër të vëmendjes.
Një falënderim i veçantë shkon për AlbiMall, sponsorin gjeneral të Superligës, për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e futbollit tonë. Po ashtu, falënderoj të gjithë sponsorët e klubeve dhe partnerët tanë të tjerë që po kontribuojnë në rritjen e nivelit të futbollit të Kosovës.
Ju uroj fat dhe suksese të gjitha klubeve në këtë stinor!
Le të fitojë më i miri!
#BashkëPërFutbollin