Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë që edhe pse nuk pajtohet për shumë gjëra me presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, është kundër që largimi i tyre nga skena politike të bëhet me çdo kusht.
Ahmeti përmes një postimi në Facebook, ka thënë që ka qenë dhe është ndër përkrahësit më të mëdhenj te zbardhjeve të krimeve të luftës, por është kundër gjykatës që i heton vetëm shqiptarët.
“Kam qenë dhe do të vazhdoj të jem ndër përkrahësit më të mëdhenj te zbardhjeve të krimeve të luftës. Kam dëshirë që për çdo viktimë të ketë përgjegjësi e çdo familje që ka humbur dikë të ketë mundësi ta ndjej shijen e drejtësisë. Pa dallim nacionaliteti. Pra, në qoftë se dikush ka kryer krime, dua që të dënohet. Po ashtu, jam i bindur, si qytetar i këtij vendi, duke përjetuar në lëkuren time dhe të familjes sime si edhe çdo familje tjetër në Kosovë se shteti i Serbisë ka kryer një përndjekje, shtypje e agresion etnik rrallë të parë e përjetuar në Evropë. E din secili njeri që ka jetuar në këtë Kosovë tonën. Prandaj kam qenë kundër gjykatës që heton vetëm shqiptarët. Kam pas dëshirë që shteti jonë të hetojë çdo krim të kryer. Çdo njeri që ka kryer një krim si shqiptar nuk ka fol në emër timin dhe nuk do të flas asnjëherë edhe pse thellë besoj se UÇK si organizim nuk ka pas qëllim e as mjet që në mënyrë të organizuar të kryej krime”, shkruan Ahmeti.
“Me Kadri Veselin nuk pajtohem në shumicën e gjërave. Me Hashim Thaçin edhe më pak. Por, asnjëherë dhe kurrë, nuk do të pajtohem që largimi i tyre nga skena politike të bëhet me çdo kusht. Kur dëmtohet Kosova, dëmtohem unë. Kur dy ditë para një procesi të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë (me të cilin mund edhe të mos pajtohem) një komunikatë jehon në krejt botën se krerët e UÇK kanë vrarë mbi 100 persona, kjo nuk mund të jetë as e rastësishme e as qëllim mirë. Aman, forca politike bashkonu sepse ditë të vështira janë këto. Politikanët tonë t’i gjykojmë ne për krimet e qeverisjes në Kosovë, por jo të krijohet bindja se ne kemi qenë agresori. Drejtësi për krejt viktimat, ama bash krejt, por jo deklarime politike nga gjykatat ku qërohen hesapet në mes të forcave botërore, e në dëm të Kosovës”, thotë tutje.