Albi Mall Superliga e Kosovës ka hyrë në tre xhirot e fundit, dhe gara mbetet e zjarrtë për shumë skuadra në tabelë. Sot zhvillohet xhiroja e 34-të, me të gjitha pesë ndeshjet që luhen njëkohësisht nga ora 16:00, në përputhje me rregulloren e fazës përfundimtare të kampionatit.
Drita e ka siguruar titullin e kampionit, ndërsa Ballkani tashmë ka vulosur vendin e dytë. Feronikeli ’74 është zyrtarisht i rënë nga elita, por lufta për pozitat e mbetura në mesin e tabelës mbetet e hapur. Nga vendi i tretë deri në të nëntin, të gjitha skuadrat kanë ende objektiva për të përmbushur.
Kampioni i ri, Drita, e pret në shtëpi Dukagjinin – një përballje që për vendasit mund të jetë festë, por për mysafirët ka rëndësi të madhe në garën për vendet evropiane.
Në kryeqytet, Prishtina përballet me Gjilanin, në një ndeshje që mund të ndikojë drejtpërdrejt në rrjedhën e garës për Europë. Ndërkohë, Ballkani viziton Ferizajn në një sfidë që pritet të jetë e nxehtë, me vendasit që luftojnë për mbijetesë.
Malisheva, që kërkon rikthimin te fitorja, do të përballet para tifozëve të vet me Feronikelin ’74. Një tjetër duel me peshë zhvillohet në Suharekë, ku skuadra vendase pret Llapin – të dyja me synime të qarta për pikët e plota.
Me 70 për qind të skuadrave ende brenda objektivave të sezonit, çdo gol, çdo pikë dhe çdo gabim nga kjo pikë e tutje mund të bëjë diferencën në një kampionat që po shkon drejt një fundi dramatik.