Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha ka deklaruar se vendet perëndimore e kanë bërë të qartë se Kosova do të përballet me pasoja për shkak të zhvillimeve në veri të vendit, duke theksuar se problemet janë me kryeministrin Albin Kurti, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një intervistë ai tha se Kurti nuk është pajtuar me kërkesat perëndimore për uljen e tensioneve duke tërhequr njësitë e posaçme të policisë dhe kryetarët e komunave nga veriu.
“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë”, ka thënë ai.
Përshtypje të njëjtë nuk ka edhe për shtetin fqinj, Serbinë.
Ai tha se SHBA-ja dëshiron të ketë një marrëdhënie më të mirë dhe më të thellë me Serbinë.
“Ne jemi dy vende të ndara nga një oqean i madh, por ne nuk jemi të ndarë nga BE, sepse një pjesë thelbësore e rolit të Amerikës këtu është të mbështesë Serbinë në përpjekjen e saj për t’u bashkuar me BE”, tha Hill.
Ambasadori amerikan gjithashtu theksoi se SHBA-ja e sheh Serbinë si një partner të mirë me të cilin mund të punojë dhe me të cilin do të jetë më afër në të ardhmen.