Ambasadori palestinez në Serbi, Mohamed Nabhan ka thënë se Palestina nuk do ta njohë Kosovën në asnjë mënyrë.
“Ne nuk e njohim Kosovën, jo vetëm shkaku i dashurisë karshi Serbisë. Ne e respektojmë të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutën 1244 e cila e trajton Kosovën si pjesë të Serbisë. Ekziston rezoluta 478 e cila të gjitha shteteve ua ndalon hapjen e ambasadave apo njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit”, ka thënë Nabhan pwr televizionin serb, “Nova S”, teksa ka shtuar se Kosova në të vërtetë mund të ketë më shumë dëme prej kësaj marrëveshjeje, sesa Serbia.
“Ekzistojnë rreth 40 shtete islame që e njohin Kosovën dhe ekziston pajtim mes gati të gjitha shteteve islame se do ta ndërpresin bashkëpunimin me secilin vend që e hap ambasadën në Jerusalem. Ekziston rreziku që Kosovën ta çnjohin rreth 40 shtete islame, e pastaj çfarë iu mbetet”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se vendi i tij, ndonëse është i rrezikuar drejtpërsëdrejti me vendimin e Serbisë që ta zhvendosë ambasadën në Jerusalem, nuk do të ndërmarrë kundërmasa, ndonëse ka porositur se do të duhej treguar guxim dhe t’i thuhej “jo” fuqive të mëdha, si SHBA-së.
“Do të ketë edhe shumë dekada të raporteve të mira midis Serbisë dhe Palestinës. Raporti ynë është i tillë që nuk bazohet në dokumente të përkohshme ose ‘ad hoc’, raportet tona janë parimore. Nuk pres që kjo që ka ndodhur t’i trazojë raportet tona dhe nuk do të doja të vijë tek një gjë e tillë, ndonëse është shkaktuar dëm serioz. Do të shohim në bisedime me miqtë tanë se si harmonizojmë qëndrimet tona dhe t’i shmangim gjërat e pakëndshme”, ka thënë Nabhan për televizionin serb, “Nova S”.