Organi Shqyrtues i Prokurimit edhe zyrtarisht e ka anuluar tenderin për renovimin e stadiumit të Gjilanit.
Kjo është bërë e ditur në vendimin që është marrë ditën e sotme, e të cilin e ka siguruar “Gazeta Express”.
Në vendimin e siguruar nga “Gazeta Express”, thuhet se ankesa e njërit prej operatorëve ekonomik kishte qenë e bazuar, dhe rekomandohet komuna e Gjilanit që tenderi të shpallet përsëri.
“Aprovohet si pjesërisht e bazuar ankesa e OE N.N.P “Euro Construction” e datës 18.06.2024 me numër protokolli lidhur me aktivitetin “Renovimi i Stadiumit të Qytetit të Gjilanit. Anulohet aktiviteti i prokurirmit Renovimi i Stadiumit të Qytetit të Gjilanit”, thuhet në vendim.
“Në afat prej 10 ditësh AK duhet ta informojë OSHP-në për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, në të kundërtën, OSHP mund të marrë masa ndaj AK-së”, thuhet në vendim.
Pezullimi i tenderit 2 muaj më parë kishte ndodhur për shkak të dyshimeve për manipulime, dhe faktit se tenderi ishte dhënë për kompaninë që kishte bërë ofertë 2 milionë euro më të shtrenjtë.
Komuna e Gjilanit kishte nënshkruar kontratë me vlerë prej 14 milionë e 997 mijë eurosh për renovimin e stadiumit të Gjilanit.
Kjo kontratë u është dhënë disa operatorëve ekonomik që kanë oferuar me çmimin më të lartë.