Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Gjilanit në kuadër të javës së katërt në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Ishte minuta e 19-të e takimit kur Ballkani kaloi në epërsi me golin e Albin Berishës.
Dy skuadrat patën raste të mira shënimi në minutat në vazhdim, mirëpo u mungoi konkretizimi.
Pjesa e parë përfundoi me këtë gol të vetëm, ndërsa e dyta pati një ritëm më të shpejt.
Ishte minuta e 59-të e përballjes, kur Gjilani i barazoi shifrat në 1-1 me golin e Oltion Bilallit.
Në minutat e mbetur, Ballkani e kërkoi me ngulm fitore dhe atë e arriti në minutën e 78-të me anë të Arb Manaj, që debutoi me gol – derisa Walid Hamidi ishte asistuesi.
Ballkani ka arkëtuar nëntë pikë dhe gjendet në vendin e tretë, ndërsa Gjilani është në të tetin me një sosh.
Në xhiron e pestë, skuadra nga Suhareka do të ketë punë me Dukagjinin, ndërsa gjilanasit përballen me Malishevën.
Llapi dhe Prishtina kanë ndarë pikët në barazimin 0-0 në “Zahir Pajaziti” në kuadër të xhiros së katërt të Superligës së Kosovës.
Baraz por me shifrat 2:2, përfundoi edhe takimi në mes Dritës dhe Dukagjinit.