Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 20-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Prishtina, Ardian Limani.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Muhamet Sylejmani, Naim Kodraliu dhe Lulzim Rrmoku.
Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e 20-të t’i takojë Ardian Limanit, lojtar i FC Prishtina , pasi gjatë tërë ndeshjes ishte në nivel të lartë në mbrojtje, por ndihmojë bashkëlojtarët edhe në ofanzivë si dhe shënoi një supergol në barazimin si mysafirë kundër Gjilanit (1:1).
Çmimin “Ylli i Javës” për futbollistin e FC Prishtina, Ardian Limani e ndau Florian Ukëimeraj, dizajner grafik në Albi Mall.
Pasi mori këtë çmim futbollisti i bardhekaltërve u shpreh i lumtur për vlerësimin. “Për mua është një kënaqësi e madhe ky çmim, duke e ditur që sapo i jam bashkuar ekipit më të trofeshëm në historinë e futbollit kosovar. Ndihem i vlerësuar dhe ky çmim më jep motiv shtesë që në vazhdm të ndihmoj edhe më shumë skuadrën time.
Një falënderim të gjithë bashkëlojtarëve dhe shabit teknik për bashkëpunimin në ndeshje dhe për faktin që më kanë pritur mirë në kryeqytet”, ka theksuar Limani për faqen zyrtare të FFK-së.