Ardian Muja është zgjedhur lojtari i javës në Superligën e Kosovës.
Futbollisti i Trepçës ’89 shkëlqeu në xhiron e 26-të të ligës elitare.
Përveç që shënoi gol, ai kontribuoi me lojë kreative në mesin e fushës dhe bëri disa ndërprerje të kundërshtarit gjatë lojës, duke qenë më i merituari për fitoren e 89-shit ndaj Dukagjinit (2:1).
Këto tri pikë ia mundësuan skuadrës mitrovicase që të stabilizohet në garën për mbijetesë në elitë.
Muja u shpreh i lumtur për çmimin e fituar, por theksoi se në këtë edicion rëndësi kanë pikët për skuadrën, në mënyrë që sa më herët ta sigurojë mbetjen në Superligë.
“Personalisht është ndjenjë e mirë jam shpallur ‘Ylli i Javës’, mirëpo e rëndësishme është fitorja që e arritëm kundër Dukagjinit. Këto tri pikë janë shumë të mirëseardhura për ne për vazhdimësinë e kampionatit, duke e ditur pozitën në të cilën ndodhemi aktualisht në tabelë. Një falënderim për shokët e skuadrës për angazhimin dhe për fitoren e kësaj jave, e ku me ndihmën dhe meritën e tyre edhe unë arrita performancë të mirë dhe në fund të vlerësohem edhe si më i miri i javës. Shpresoj që kjo fitore të jetë pikë kthese për KF Trepça ’89 FC dhe të vazhdojmë me rezultate pozitive, në mënyrë që në fund të arrijmë objektivin tonë që është mbetja në Superligë”, ka theksuar Muja për faqen zyrtare të FFK-së pas marrjes së çmimit.