Mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi e ka vlerësuar fitore tejet të madhe fitoren e Ballkanit ndaj Dinamo Zagrebit. Ballkani e mposhti 2:0 ekipin e madh të Kroacisë në ndeshjen e luajtur në Prishtinë që i takoi Grupit C të Ligës së Konferencës.
Për Ballkanin, kjo ishte fitorja e parë këtë edicion në fazën e grupeve, ndërsa Dinamos ia shkaktoi humbjen e parë. Thaqi ka thënë se kjo fitore është motiv shtesë për ndeshjet e ardhshme, të cilat Ballkani synon t’i fitojë për ta siguruar kalimin përtej fazës së grupeve. Sipas Thaqit, kalimi në fazën tjetër është i mundur pasi Ballkani e mposhti një ekip si Dinamo, që është favoriti kryesor i Grupit C.
“Ka disa ndeshje që po luajmë mirë, por na ka munguar rezultati. Mirëpo, këtë herë jo vetëm që luajtëm mirë por edhe shënuam fitore që është shumë e mirë dhe shumë e madhe. Ishte ndeshje shumë e vështirë dhe e fortë deri në fund, por në morëm pikët e para në grup dhe jemi shumë të lumtur. Kjo fitore është e mirëseardhur për ndeshjet tjera që na presin”, ka thënë Thaqi. “Nëse e mposhtim favoritin kryesor të grupit, atëherë pse mos ta kalojmë grupin. Kështu që, do të kujdesemi që në asnjë mënyrë mos ti përsëritim gabimet e vitit të shkuar dhe nuk do t’i përsëritim këto gabime. Kemi edhe shumë ndeshje deri në fund, por do të përgatitemi dhe do të mundohemi të kalojmë grupin dhe nuk do të dorëzohemi deri në fund. Do të mundohemi me mish e me shpirt për të arritur këtë”.