Golashënuesi më i mirë i Dinamo Bukureshtit, Astrit Selmani, është afër transferimit te skuadra tjetër rumune, Cluj.
Te Cluji po bëhen gati për edicionin e ardhshëm, ndërsa pjesë të projektit e shohin edhe Selmanin. Sulmuesi 27-vjeçar nuk ka pranuar vazhdimin e kontratës me Dinamon. Selmani ka shënuar 14 gola dhe ka asistuar gjashtë herë në 34 ndeshjet e këtij edicioni.
“Dan Petrescu ka shprehur dëshirën për ta pasur Selmanin në skuadër. Ardhja e Selmanit mund të jetë e rëndësishme për Clujin, që dëshiron të rinovojë skuadrën dhe të përmirësojë efikasitetin në sulm”, shkruan sajti rumun “pescurt.ro” të hënën.
Pjesë e Clujit janë Meriton Korenica dhe Lindon Emërllahu. Në Rumani me sukses kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë edhe shumë futbollistë shqiptarë.