Avokati Gaxmend Halilaj ka folur për përvojat e tij që i pati kur ishte zyrtar policor me Faton Hajrizin, i cili ishte i burgosur në Smrekonicë dhe ishte larguar nga aty, i njëjti thuhet se është vrarë nga policia serbe për shkak se kishte vrarë një polic të Serbisë.
Në Klan Kosova, Halilaj ka theksuar se Hajrizi kishte bërë një mori krimesh, duke përmendur edhe rastet kur gjatë arratisjes së tij kishte gjuajtur me armë një mori të zyrtarëve policorë.
“Kemi qenë në detyrë në vitin 2007, kur është arratisur nga burgu i Dubravës, jashtë burgut atë e ka pritur armatim i madh, përfshirë edhe zolla. Data 10 shtator 2007, ai ka ardhë në Drenas e ka grabitur argjendarinë në 63 mijë euro vlerë ari. E ka plagosur me mitraloz pronarin, i cili ka vdekur, i ka plagosur dy zyrtarë policorë në Drenas, na ka gjuajtur të gjithëve me mitraloz”, ka thënë Halilaj.
Më tej, Halilaj ka thënë se Hajrizi nuk e kishte vrarë ushtarin rus, për të cilin ishte dënuar tetëvjet burgim.
“Çështja e rusit, ai nuk e ka vrarë se është rus, ai e ka vrarë sepse ia ka vjedhur armën. Atë nuk e ka gjuajtur hiç Faton Hajrizi, ai është gjuajtur nga një person tjetër dhe është plagosur nga një person tjetër, nuk dua të japë emër. Pastaj në përpjeke për ta quar qytetarët në spital ai ka vdekur. Ai vetëm ia ka vjedhur armën”, ka thënë Halilaj.