Ballkani dhe Drita i zhvillojnë nesër ndeshjet kthyese në Conference League.
Të dy skuadrat pësuan humbje në ndeshjet e para të xhiros së tretë kualifikuese të këtij kompeticioni.
Skuadra e Dritës humbi me rezultat 1 me 0 nga Auda në Letoni, kurse Ballkani u mposht 0 me 1 nga Larne në ‘Fadil Vokrri’.
Të dy skuadrat duhet të përmbysin rezultatin dhe të kualifikohen në ‘Play-Off’, atje ku më pas do të ishin shumë afër grupeve.
Ndeshja mes Dritës dhe Auda zhvillohet me fillim nga ora 20:00 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, kurse ajo mes Larne dhe Ballkanit fillon në ora 21:00, në stadiumin ‘Inver Park’.
Ish sulmuesi i mirënjohur kosovar dhe tashmë trajneri Kastriot Rexha, tha se të dy skuadrat kanë gjasa për të kaluar tutje, por që e sheh Dritën si pak më të avantazhuar pasi që e luan ndeshjen kthyese në Kosovë.
“Të dy skuadrat kanë mundësi për të kaluar tutje, por ndoshta Drita ka pak më shumë gjasa sepse do të luajë në shtëpi dhe do ta ketë përkrahjen e madhe nga tifozët e tyre. Duke i shtuar që edhe skuadra kundërshtare nuk është e pakalueshme, atëherë pres kalimin në fazën ‘Play Off’“, tha fillimisht Rexha.
Tutje, ai komentoi edhe gjasat e skuadrës së Ballkanit, ku tha se kualifikimin tutje të kampionit momental të Kosovës e sheh pak më të vështirë.
“Sa i përket skuadrës së Ballkanit, e shoh pak më të vështirë kalimin tutje, sidomos pas humbjes në ndeshjen e parë si vendas. Ndoshta tranzicioni i grupit të futbollistëve dhe komponimi i skuadrës ia vështirëson kalimin tutje. Por, shpresoj që fitorja në xhiron e parë ndaj Dukagjinit në Superligë të ndikojë për të mirë dhe që kjo skuadër të tregoj vlerat e veta dhe të kalojë edhe këtë fazë, sepse do të ishte një mundësi e madhe për ta më pas“, përfundoi Rexha.