Ballkani do të përballet me Dinamon e Zagrebit të enjten e 5 tetorit në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Një ndeshje në kuadër të grupeve të Conference League.
Në lidhje me këtë sfidë të rëndësishme klubi nga Suhareka ka bërë një njoftim për tifozët që do të shkojnë ta mbështesin nga shkallët e stadiumit.
Kampionët e Kosovës njoftojnë se biletat do të jenë të personalizuara dhe se do të ketë kontrolle të rregullta. Gjithashtu njofton se prania e tifozëve kroatë është e ndaluar.
“Të nderuar futbolldashës,
Ju njoftojmë se biletat e ndeshjes së Konferencës së Evropës, ndërmjet Ballkanit dhe Dinamo Zagrebit janë të personalizuara. Në çdo hyrje të stadiumit, do të ketë kontrolle të rregullta ku verifikohet bileta.
Poashtu me vendim të UEFA-s, për këtë ballafaqim, prania e tifozerisë mysafire është e ndaluar.
Në stadiumin “Fadil Vokrri”, funksionon sistemi digjital, andaj do të bëhet kontrolli i poseduesve të biletave.
Meqenese prania e tifozëve të Dinamo Zagrebit është e ndaluar, me seriozitet rekomandojmë që të mos marrin rrugën për Prishtinë, pasi që pas identifikimit në hyrjet e stadiumit, do t’u mohet hyrja, kurse mjetet e biletës nuk do t’iu rimbrusohen.
Duke shpresuar në mirëkuptimin e të gjithëve, urojmë që çdo gjë të jetë korrekte dhe ndeshja e dytë e grupit C të UECL-së, ndërmjet Ballkanit dhe Dinamo Zagrebit të kalojë në rrethana festive futbollistike, mes kampionëve të dy shteteve mike
Me respekt,
Fc Ballkani”, shkruan klubi nga Suhareka.