Përfaqësuesit e Kosovës sot do të zbulojnë kundërshtarët e tyre në raundet e para preliminare të garave të klubeve të UEFA-s.
Në orën 14:00 fillon shorti për turin e parë kualifikues të Champions League, dhe kampioni i Kosovës, Ballkani është në vazon bartëse.
Ballkani mund të luajë kundër një prej skuadrave të mëposhtme: Hamrun Spartans (Malta), FC Struga (Maqedoni e Veriut), FK Decic (Mali i Zi), KF Egnatia (Shqipëri), UE Santa Coloma (Andorrë).
Ndeshjet do të luhen me sistemin vajtje-ardhje, dhe do të luhen në datat 9/10 korrik dhe 16/17 korrik 2024.
Një orë më vonë do të hidhet edhe shorti i fazës së parë kualifikuese të Ligës së Evropës.
Në këtë fazë të përfshira janë 12 ekipe, nga to edhe Llapi, si nënkampion i Kosovës.
Kundërshtarët e mundshëm të Llapit janë këta, nga vazo bartëse: Sheriff Tiraspol (Moldavi), NK Maribor (Slloveni), FC Tobol (Kazakistan), Wisla Krakoë (Poloni), Pafos (Qipro), Paksi (Hungari).
Dy orë më vonë nis shorti edhe për fazën e parë kualifikuese të Ligës së Konferencës.
Në këtë pjesë të shortit janë të përfshira 50 ekipe, të ndara në pesë grupe.
Në grupin e parë të shortit është Malisheva, e cila është në vazon e ekipeve jobartëse, shkaku që sivjet po debuton në garat europiane.
Kundërshtarët e mundshëm të Malishevës janë: Shkëndija (Maqedoni e Veriut), Buducnost (Mali i Zi), Inter d’Escaldes (Andorrë), Tirana (Shqipëri), La Fiorita (San Marino).
Ndeshjet e Ligës së Konferencës po ashtu do të luhen me sistemin vajtje-ardhje, derisa takimet luhen me 11 dhe 18 korrik 2024.
Nga faza e dytë kualifikuese në këtë kompeticion do të paraqitet edhe Drita.