Një rrahje masive ka ndodhur mbrëmë në lagjën “Velania” në Prishtinë mes refugjatëve sirianë dhe disa banorëve. Këta të fundit, po ankohen se telashet vinë nga Hosteli “Guest House”, ku edhe po qëndrojnë të ardhurit.
Disa shtetas sirianë po qëndrojnë në një prej hosteleve në “Velani”, ku edhe po shkaktojnë telashe të shumëta.
Të njëjtit, po sulmojnë banorët dhe disa vetura të tyre, madje, u raportua se ka ndërhyrë edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.
Ndërsa rastin për Gazetën Metro, e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, i cili tha se të dyshuarit kanë qenë të dehur.
“Më, 27.06.2020 rreth orës 19:35, është pranuar informata se në rr. Emrush Miftari-Prishtinë, disa shtetas nga Siria i kanë sulmuar disa banorë të lagjes dhe i kanë dëmtuar disa vetura. Ata dyshohet të kenë qenë nën ndikim të alkoolit. Njësitet policore kanë intervenuar dhe e kanë trajtuar rastin”, ka thënë Krasniqi
E njëjta u tha për Gazetën Metro edhe nga Burhan Pajaziti, banor i kësaj lagje i cili po kërkon nga policia të merr masat e duhura.
“Presim që policia e shtetit të merr masat e duhura parandaluese, përndryshe seriozisht jemi në telashe me ta”, ka përfunduar ai.
Kujtojmë se edhe më parë është raportuar për probleme dhe telashe mes kosovarëve dhe personave që kërkojnë azil këtu, kryesisht nga Siria.
Ditëve të fundit nga policia janë konfirmuar për disa raste të tilla./gazetametro.net