Zyrtari i LDK-së, bashkëpunëtori i Fehmi Aganit dhe më pas edhe mik e bashkëpunëtor i kolonelit, Ahmet Krasniqit, Skender Zogaj ka folur rreth vrasjes së tij. Zogaj në një intervistë për “Bota sot” ka folur për raportet e kolonelit Krasniqi me komandantin, Adem Jashari. Zogaj tutje ka thënë se kolonel Krasniqi ka parandjerë shpesh vdekjen, duke cituar kështu edhe fjalët e tij.Intervistë ekskluzive me Skender Zogaj, me bashkëpunëtorin e Ahmet Krasniqit
“Bota sot”: Si e keni njohur Ahmet Krasniqin?
Skender Zogaj: Ahmet Krasniqin për herë të parë e kam takuar në verën e vitit 1975, kur, oficeri i ri, kishte ardhur për të vizituar familjarët në Zhilivodë, dhe shokët e miqtë e tij të shumtë në Prishtinë. U takuam shkurt por mbetëm miq. U ritakuan 15 vjet më vonë, sërish në Prishtinë, kur koloneli Ahmet Krasniqi, e kishte flakur uniformën ushtarake jugosllave dhe ia kishte mësy Mëmës Shqipëri! Si zyrtar i LDK-s dhe bashkëpunëtor i prof. Fehmi Aganit, mu besua detyra e organizimit të kalimit ilegal tē Ahmet Krasniqit nga Kosova në Maqedoni dhe prej atje pastaj në Shqipëri! Herën e tretë e takova në Tiranë, më 1998, kur Ahmet Krasniqi ishte emëruar Ministër i Mbrojtjes dhe komandant suprem i FARK-ut!
“Bota sot”: Si e keni pritur vrasjen e tij?
Zogaj: Pas kalvarit të vuajtjeve dramatike, si në legjenda, Ahmet Krasniqi arrin të mbijetojë, dhe, nga gurëthyesi e pemëshitësi, në saje të profesionalizmit të tij, zgjidhet Ministër i Mbrojtjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil. Në majin e 1998-tës Kolonelit me një grup oficerësh elitarë, vendoset në Tiranë dhe për vetëm dy muaj, në kushte e rrethana minimale, themelon dhe strukturon Forcat e Armatosura, sipas modelit të ushtrive moderne të kohës. Nga sukseset e Kolonelit armiqtë i zë trishtimi, prandaj, në errësirën e mesnatës së 21 shtatori 1998, plumbat e dorës së tradhëtisë ia këpusin jetën.
Kolonel Ahmet Krasniqi me Skender Zogaj
“Bota sot”: A mendoni se autoritetet përgjegjëse po e bëjnë̈ punën e tyre për të zbardhur këtë vrasje?
Zogaj: Vrasja e Ministrit Krasniqi ishte tepër e rēndë sepse, vritet kryestrategu i luftës çlirimtare të Kosovës. Pra, ishte vrasje makabre, e turpshme për gjithë shqiptarët, sepse vrasja ndodh në kryeqytetin shqiptar, dhe nga vet shqiptarët! Faktet flasin: sjellja banditeske e Tiranës zyrtare pas atentatit, nga varrimi e deri tek pengimi shtetëror i zbardhjes së vrasjes. Flet edhe kënaqësia rrugaçërore e krerëve të krahut ilegal të UÇK-s, që e festojnë vrasjen e Kolonelit. Prandaj, këta në Kosovë dhe në Shqipëri, tregojnë vet se janë vrasësit e Kolonelit.
“Bota sot”: Ju keni deklaruar se Ahmet Krasniqi ishte i gatshëm t’ia jap pozitën e ministrit Adem Demaҫit. Pse pikërisht atij?
Zogaj: Po, unë kam deklaruar sepse jam dëshmitari, që Koloneli e ka theksuar Adem Demaçin për ministër të mundshëm, ndërsa ka insistuar që ta ketë vetëm komandimin e forcave të armatosura, që ishte fahu profesional i tij. Dhe jo vetëm fjalë, këtë e ka theksuar edhe në takimin në Osllo, ku ka kërkua unifikimin ushtarak dhe marrëveshje për ndarjen e përgjegjësive! Përcaktimi për Demaçin është mbështetur nga konsiderata për vuajtjet, por edhe sepse, Demaçi në atë ditë nuk zgjidhte mënyrë as mjete për t’u faktorizuar në kupolën e luftës!
“Bota sot”: Cilat ishin raportet e Ahmet Krasniqit me Adem Jasharin?
Zogaj: Nuk kam ndonjë njohuri të saktë për raportet ndërmjet Kolonelit Krasniqi dhe Adem Jasharit. Por, e di që ministri ka qenë shumë i interesuar të ndërlidhej me të gjitha grupet, që kishin realizuar aksione të armatosura në të gjitha anët e Kosovës, sepse, i konsideronte “bërthama të forta të rrezistencës”!
“Bota sot”: Ju keni deklaruar se Ahmet Krasniqi e ka parandjerë rrezikun që i kanosej. A ka qenë i kërcënuar ai?
Zogaj: Pas Osllos është e çuditshme neglizhenca e Qeverisë Bukoshi, e cila nuk i realizon as detyrimet elementare ndaj FARK-ut, dhe e mbanë peng Ministrin Krasniqi, në momentet më vendimtare të konkretizimit të planeve luftarake. Kjo situatë shfrytëzohet nga oponentët ilegalistë, prapa të cilëve (për qëllime përfituese) barikadohet nomenklatura enveriane e Qeverisë Nano, që merr kontrollin mbi UÇK-n duke ia imponuar rregullat e sjelljes! Sidomos, kjo ndodh në kontrabandimin e armëve që e kontrollojnë bosët: Fatos Klosi, Sabit Brokaj, Kudusi Lame, etj. Trysnia propagandistike dhe fizike kundër pjesëtarëve të FARK-ut është e madhe! Koloneli Krasniqi përpiqej të mos jepej, por rrezikun e parandjente! E theksonte shpesh shembullin e Dudajevit! Janë të shumtë ata të cilëve ua ka thënë se, “Zoti mundet, por nuk e kam hiç të largët…”!
“Bota sot”: Ju keni thënë se Fatos Klosi e di vrasësin e Ahmet Krasniqit. Pse nuk po zbardhet atëherë̈ kjo vrasje?
Zogaj: E kam thënë dhe po e përsëris, Fatos Klosi di saktë gjithë skenarin dhe vrasësit e Ahmet Krasniqit! Si nuk e ditka shefi i SHISH-it, i cili, shfaqet i gjithëdijshëm për të gjitha ndodhitë e tjera, por jo për ato që kanë të bëjnë me kosovarët në Shqipëri!? Normalisht që nuk i di, sepse është autori i tyre! Prandaj saherë që flitet për vrasjet, ky sherrbudalla i rrezikshëm, bëhet struc, dhe lëviz bishtin kah të tjerët! Pra, e ha bukën me turp sepse, vrasjet e ndodhura gjatë mandatit të tij në krye të SHISH-it, janë përgjegjësi e tij dhe nuk do të duhej të guxonte të thotë “nuk di!” Por, Klosi e thotē, sepse për këtë është paguar dhe për këtë është shpallur edhe “veteran i luftës së UÇK-s,” që është dëshmi për kontributin e madh në gjakderdhjet nëpër errësirën e mesnatave.
“Bota sot”: Cili ka qenë raporti ndërmjet Ahmet Krasniqit dhe Xhavit Halitit?
Zogaj: Ahmet Krasniqi ka qenë njē kolos, trim i urtë dhe i mençur, i mirësjellshēm dhe respektues, i fjalës dhe i besës, intelektual elitar i pajisur me dituri të gjera për artin ushtarak por edhe tribun i ndritur popullor, me vigjilencë të lartë për t’iu gjegjur dhe shërbyer me dinjitet kërkesave të popullit dhe atdheut të vet! Ky ka qenë lajtmotivi i çdo hapi dhe i çdo fjale të ministrit Krasniqi në Tiranë, me të gjithë ata që është takuar! Nuk del një që mund të thotë ndryshe! Sa di unë ky ka qenë raporti i Ahmetit me Xhavitin. Ministri ka qenë tepër korrekt, nuk ka luajtur me dy letra! Fjalët po ose jo, i ka shpreh pastër dhe iu ka përmbajtur edhe me çmimin e jetës! Këtë e ka vërtetuar Heroi i Kosovës, prandaj ballëhapur do të udhëtoj nëpër shekuj.