Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon të mbetet në proces të licencimit nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit, shkruan Demokracia.com.
Ndonëse FFK tashmë i ka plotësuar dokumentet, Ministria ende nuk ka vendosur për një licencim të tillë dhe kjo sigurisht që vazhdon t’i shqetësojë klubet dhe komunitetin sportive.
Trajneri i Llapit Tahir Batatina në një interviste për KosovaLive, ka thënë që as që e mendon se FFK nuk do të licencohet dhe se ky është vetëm një proces që shumë shpejt do të përfundojë pasi FFK dhe presidenti Agim Ademi i kanë dorëzuar dokumentet e nevojshme që janë kërkuar.
Ai ka shtuar se ministri Hajrulla Çeku nuk do të lejojë që politika të përfshihet në këtë proces dhe do të bëjë sa më shpejt licencimin e FFK-së pasi edhe vet ministri ka deklaruar se janë vetëm edhe disa detaje deri në licencimin e futbollit.
“E para unë as që dua ta mendoj dhe as që shqetësohem se nuk do të licencohet pasi nëse veç nuk licencohet FFK atëherë nuk e di pse ekziston shteti. Nuk e di që ka një shtet pa futboll. Nëse dikush e ka bërë krenarë këtë shtet dhe këtë politik është sporti. Sportistët tanë e kanë ngritë flamurin tonë edhe në Rusi, derisa futbolli i ka kaluar edhe politiken dhe ka bërë që shumë shtete t’i njoftojë për Kosovën dhe për njerzit tanë”, ka thënë Batatina duke shtuar.
“Mendoj se nuk ka asnjë arsye që mos të licencohet dhe nuk mundëm asnjëherë të fut në kokën time që Ministria nuk do ta licencojë FFK-në, pasi do të ishte një gjë e shëmtuar. Nëse kjo veç ndodh ne duhet t’i marrim valigjet dhe të ikim ndonjë vend tjetër, pasi nuk kemi më pse të mundohemi më. Të sqarojmë se nëse nuk licencohet Federata nuk licencohet as Kombëtarja e Kosovës dhe nuk e di si ka shtet pa një kombëtare, kështu që nuk besoj se do të ndodh një gjë e tillë””, ka thënë Batatina. /Demokracia.com